Ergys Kaçe, ish-mesfushori i Kombëtares është mesfushori më i ri i Gjilanit në Superligën e Kosovës. 30-vjeçari ka lënë Kalamatën në Greqi dhe ka surprizuar me ekipin e ri, teksa pas 2021 karriera e Kaçes ka ardhur në zbritje.
I dalë nga moshat e PAOK, Kaçe shkëlqeu me ekipin nga Selaniku dhe provoi të luante me Viktoria Plzen dhe Panathinaikos, teksa provoi edhe Larisan dhe Arisin e Selanikut, para se në 2022 të kalonte disa muaj jo fort të mirë te Partizani në Shqipëri.
Veria, Volos, Eolikos dhe së fundmi Kalamata nuk kanë qenë për të në nivelin e duhur dhe tanimë Kaçe që ka luajtur 25 ndeshje me Kombëtaren dhe ka shënuar dy gola, gjen strehë te Gjilani. Kujtojmë se mesfushori ishte pjesë e ekipit kuqezi në Euro 2016 duke luajtur edhe 28 minuta në ndeshjen e parë kundër Zvicrës.