Ish-ylli i Chelseat dhe Real Madridit, Eden Hazard ka konfirmuar tërheqjen nga futbolli i luajtur në moshën 32-vjeçare. Hazard e konfirmoi lajmin në kanalet e komunikimit dhe tha se ishte momenti i duhur për të marrë këtë vendim.
"Pas 16 vitesh dhe më shumë se 700 ndeshjeve të luajtura, kam vendosur t’i jap fund karrierës si futbollist profesionist. Kam qenë në gjendje të realizoj ëndrrën time, kam luajtur dhe jam argëtuar në shumë fusha anembanë botës. Gjatë karrierës sime kam qenë me fat që kam takuar menaxherë, trajnerë dhe shokë të mëdhenj të skuadrave, faleminderit të gjithëve për këto kohë të mrekullueshme. Unë dua të falënderoj gjithashtu klubet për të cilat kam luajtur: LOSC Lille, Chelsea dhe Real Madrid dhe falënderoj federatën për përzgjedhjen time në kombëtaren belge", shkruan Hazard.
Belgu u largua nga Real Madridi në fund të sezonit 2022-23 dhe nuk iu bashkua një klubi të ri gjatë verës. Ai tashmë ka njoftuar tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur, duke ulur perden e një karriere 16-vjeçare si lojtar.