Emmanuel Egbo është trajneri i ri i Prishtinës në Superligën e futbollit në Kosovë. 50-vjeçari nga Nigeria ka firmosur me klubin më të titulluar në Kosovë, duke marrë përsipër që të ngrejë këtë ekip në vendet e sipërme të tabelës.
Prishtina largoi Debatik Currin pas rezultateve jo të mira dhe në vend të tij emëron një trajner kampion. Egbo mbahet mend për titullin kampion të fituar me Tiranën në sezonin 2019-20, teksa i drejtoi bardheblutë në 33 takime.
Veç Tiranës, Egbo ka qenë trajner edhe i Bylis apo edhe i Ohod Club në Arabinë Saudite. Si portier ai mbahet mend për aktivizimin te Tirana dhe Bylis. Në fjalët e para pas emërimit në stol, Egbo ka bërë me dije se e njeh historinë e skuadrës.
"E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës. Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin", tha Egbo mes të tjerash.