Etrit Berisha pas firmës me Hacken

Sport

Zyrtare/ Etrit Berisha rivesh dorezat, firmos me klubin suedez

11 Prill, 13:48| Përditesimi: 11 Prill, 14:02

  • Share

Prej afro një sezoni nuk luan futboll, por Etrit Berisha ka riveshur dorezat dhe është futur në katërkëndësh, këtë herë në Suedi me Hacken FC, aty ku e nisi me futbollin e madh.

Nuk është Kalmari, por Hacken skuadra e re që ka përfituar shërbimet e veteranit 36-vjeçar. Të mbetur pa portierin e parë Andres Linde të dëmtuar, skandinavët hodhën sytë nga Titi Berisha dhe firma në kontratë nuk mungoi.

Sipas, “Football Transfers”, Linde pritet të mungojë për dy deri në tre muaj për shkak të një dëmtimi muskulor. Berisha ishte pa klub, që prej largimit nga Empoli në verën e vitit të kaluar.

"E njoh mirë Hacken, ende ndjek kampionatin dhe në Suedi ndihem si në shtëpinë time. E di që Hacken ka bërë vazhdimisht hapa përpara. Prandaj ishte interesante për mua të vija këtu dhe ta ndihmoja klubin të arrijë suksese të reja. Do të përpiqem të ndihmoj lojtarët e rinj. Është mirë për klubin që mund të ndaj gjithçka që kam mësuar nga përvoja ndërkombëtare", tha Berisha mes të tjerash.

Etriti e kishte thënë shpesh se kërkonte të ishte pranë familjes dhe duket se rikthimi në Suedi ishte i natyrshëm për gardianin që ka luajtur me Atalantën, Lazion, SPAL-in, Torinon dhe Empolin.

163 ndeshje regjistron Berisha në Serie A, ndërsa me Kombëtaren ka qenë plot 80 herë në katërkëndësh, duke marrë pjesë edhe në finalet e Euro 2016 dhe Euro 2024.

Tanimë pas 12 vitesh nga ndeshja e fundit me Kalmar, Berisha rikthehet në Suedi dhe këtë herë do mbrojë ngjyrat e Hacken.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?