Granit Xhaka zyrtarizohet te Sunderland në Angli

Sport

Zyrtare/ 'Fitues serial', Sunderland prezanton Granit Xhakën! Kontratë tre vjeçare

30 Korrik, 12:17| Përditesimi: 30 Korrik, 12:25

  • Share

ANGLI - Granit Xhaka është futbollisti më i ri i Sunderland në Premier League. "Macet e Zeza" paguan 20 milionë euro te Bayer Leverkusen për të rikthyer shqiptarin në Premier League pas dy sezonesh. Xhaka është njohës i mirë i kampionatit anglez pasi më herët ka përfaqësuar në 225 takime Arsenalin, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit të "Topçinjve".

Lëvizja e Xhakës te Sunderland ishte e habitshme, pasi interes për 32-vjeçarin (mbush 33 më 27 shtator) kishte edhe nga Milani e Interi. I renditur në vendin e 16-të në listën e "Topit të Artë" 2024, Xhaka pritet të udhëheqë ekipin e Sunderland në objektivin primar të mbijetesës, pas ngjitjes këtë sezon në Premier League. Ai do mbajë fanellën me numër 34 mbi shpinë.

Klubi nga "Stadiumi i Dritave" ka investuar 130 milionë euro këtë merkato duke afruar emra si Reinildo Mandava nga Atl. Madrid, Diarra nga Strasbourg, Adingra nga Brighton, Enzo Le Fee nga Roma, apo Talbi, Sadiki dhe Adil Aouchiche.

"Jam shumë krenar që jam këtu. Kur fola me klubin, u emocionova dhe ndjeva energjinë dhe mentalitetin që kanë të gjithë njerëzit dhe lojtarët. Është pikërisht ajo që doja dhe kam një ndjenjë shumë të mirë. Jemi kthyer aty ku duhet të jetë ky klub dhe duam të qëndrojmë këtu për të shkruar historinë tonë.

Ndjej se jam gati ta ndihmoj ekipin me përvojën time, por edhe me cilësi. Duhet ta gjejmë veten në fushë, por nuk mendoj se kjo do të jetë një problem i madh. Ka kaluar shumë kohë duke pritur, por tani jam këtu dhe mezi pres të nis punën", tha Xhaka në fjalët e para pas firmës në kontratë. "Fitues serial", kështu e quan klubi i ri.

Pas Basel, Gladbach, Arsenal dhe Leverkusen, Sunderland do jetë klubi i pestë në karrierën e Xhakës.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?