Hansi Flick është shkarkuar nga detyra e trajnerit të kombëtares gjermane të futbollit pas një takimi me drejtuesit e federatës, vetëm nëntë muaj para Euro 2024. Ish- trajneri i Bayern Munich pati një periudhë mjaft të zymtë në krye të ekipit kombëtar dhe humbja 4-1 ndaj Japonisë në miqësoren e djeshme duket të jetë pika që derdhi kupën.
Në një deklaratë të lëshuar nga federata e futbollit në Gjermani, u konfirmua se pas një 'takimi të drejtuesve', Flick u shkarkua.
Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf tha: “Komisionet ranë dakord që Kombëtarja A për meshkuj ka nevojë për një shtysë të re pas rezultateve zhgënjyese të fundit. Ne kemi nevojë për një frymë optimizmi dhe besimi në vendin tonë. Për mua personalisht, është një nga vendimet më të vështira të kohës sime në detyrë deri tani. Sepse e vlerësoj Hansi Flick dhe ndihmës trajnerët e tij si ekspertë dhe njerëz të futbollit. Por suksesi sportiv është prioriteti kryesor për DFB. Kështu që vendimi ishte i pashmangshëm".
Flick u ul në stolin e Gjermanisë në 1 gusht 2021 dhe e drejtoi ekipin për 25 ndeshje. 12 fitore, 7 barazime dhe 6 humbje për Flick në krye të ekipit, që nuk mundën të mbanin në punë, me një mesatare pikësh prej 1.72 për ndeshje.