TIRANË - Klubi i Dinamos ka zyrtarizuar firmën me mbrojtësin e djathtë, 23-vjeçarin Ysni Ismaili. Pjesë e Vorës prej dy sezonesh, Ismaili ka bindur me lojën dhe formën e tij, andaj trajneri Ilir Daja nuk ka ngurruar të japë miratimin për ta afruar në ekip, duke dobësuar kështu një rival direkt në Superligë.
"Ysni Ismaili është zyrtarisht pjesë e Dinamo City. Mbrojtësi 23-vjeçar ka firmosur kontratën me klubin tonë dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Ai aktivizohet në linjën e djathtë dhe vjen te 18 herë kampionët e Shqipërisë nga Vora. Më parë ka luajtur në Maqedoninë e Veriut dhe ka qenë pjesë e Shpresave të Shqipërisë. Ismaili është përforcimi i parë i "Nëndetëses" në këtë merkato vere", bën me dije klubi kryeqytetas.
I lindur në Manastir të Maqedonisë së Veriut, shqiptari Ismaili ka qenë pjesë e moshave të kombëtares shqiptare nga U-17 deri në U-21 dhe me Shpresat ka zhvilluar katër paraqitje, ndërsa mund të jetë një alternativë edhe për Sylvinhon.
I dalë nga Pelister, ai ka luajtur edhe me Voska Sport dhe Karaorman në vendin fqinj, teksa në verën e 2023 firmosi me Vorën dhe pas dy sezonesh në Kategorinë e Parë kalon në një klub me objektiva madhor, nën drejtimin e një trajneri si Ilir Daja.
Komente
