Dinamo ka konfirmuar zyrtarisht largimin e sulmuesit Itodo Mandela, i cili do të vazhdojë karrierën në kampionatin ukrainas, duke u bashkuar me skuadrën Metalist 1925. Lajmi vjen vetëm pak orë përpara sfidës së rëndësishme ndaj Hajduk Split, në raundin e tretë kualifikues të Conference League.
Mandela nuk ishte pjesë e skuadrës për ndeshjen e parë ndaj kroatëve, duke lënë të kuptohej se lëvizja ishte në finalizim e sipër. Klubi 'Blu' ka bërë publike marrëveshjen përmes një postimi në rrjetet sociale, ku falenderon lojtarin për kontributin e tij gjatë sezonit të kaluar.
“Klubi i Dinamo City bën të ditur se ka arritur marrëveshjen për transferimin e lojtarit Peter Itodo Mandela në Ukrainë, tek skuadra e Metalist 1925. Presidenti Adrian Bardhi dhe klubi e falenderojnë sulmuesin për kontributin e dhënë me fanellën blu sezonin e kaluar, ku ai spikati me golat e tij. Gjithashtu, i urojmë lojtarit suksese me skuadrën e tij të re”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Ky është largimi i radhë te Dinamo në këtë merkato vere, por jo i vetmi që pritet. Baton Zabërgja është gjithashtu në bisedime për një transferim drejt Ukrainës, edhe pse klubi ende nuk ka konfirmuar asgjë zyrtarisht.
Nga transferimi i Itodo Mandelës përfiton gjithashtu edhe Luzi 2008, klubi nga i cili Dinamo e kishte blerë sulmuesin. Mandela spikati me fanellën e Luzit në Kategorinë e Parë deri në sezonin 2023-24, përpara se të transferohej te Dinamo ku la gjurmë me paraqitjet dhe golat e tij.
Komente
