Palma de Mallorca, Spanjë - Vedat Muriqi do jetë pjesë e Mallorcas në Spanjë të paktën deri në vitin 2029. Klubi i La Ligas i ka ofruar rinovim edhe për dy vite të tjera sulmuesit të Kosovës, teksa 'Pirati' është kthyer në njeriun më të dashur nga tifozët, kjo për përkushtimin dhe golat e tij. Me marrëveshjen që skadonte në verën e 2027, palët kanë gjetur dakordësinë dhe do vijojnë 'martesën' deri në fundin e sezonit 2028-29.
Muriqi mbërriti në ishull në janar të vitit 2022. Ai luajti në huazim nga Lazio në një kohë të vështirë kur Mallorca po luftonte për mbijetesën në La Liga. Me përkushtimin dhe golat e tij, ai jo vetëm që kontribuoi ndjeshëm në shpëtimin e ekipit, por gjithashtu fitoi shpejt dashurinë e të gjithë tifozëve të Mallorcas, të cilët festuan faktin që klubi arriti ta bënte për vete për shumën e 8 milionë eurove.
Pas firmës në kontratë, Muriqi u shpreh i lumtur dhe krenar.
“Mbi të gjitha, ndiej krenari dhe kënaqësi. Është një nder të vazhdoj ta jetoj këtë ëndërr me këta njerëz këtu dhe të vazhdoj të rritem me ta. Do të thotë shumë për mua. Kjo është arsyeja pse jam i emocionuar që do të jem me Mallorcën për dy vjet të tjera. Pa dyshim, të vija këtu është vendimi më i mirë që kam marrë ndonjëherë. Mallorca për mua është ëndrra më e mirë që kam pasur ndonjëherë. Dhe nuk do ta ndryshoj këtë”, tha 31-vjeçari nga Prizreni.
Liria, Teuta, Besa e Kavajës, Giresunspor, Genclerbirligi, Fenerbahce, Lazio dhe Mallorca kanë qenë skuadrat e tij në karrierë.
Komente
