Gentian Mezani nuk është më trajneri i Laçit në Superligën e futbollit. Pas 19 ndeshjeve në krye të kurbinasve, vlonjati është shkarkuar për shkak të rezultateve të dobëta. Vetëm 6 fitore në kampionat dhe 8 humbje, kanë bërë që presidenti Laska të marrë vendimin drastik për 47-vjeçarin vlonjat.
"Laçi ka vendosur të shkarkojë trajnerin Gentian Mezani për shkak të rezultateve të arritura. Në 15 ndeshje në kampionat skuadra u mund 8 herë dhe mori një barazim, ndërsa u eliminua edhe në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Klubi është i angazhuar që ekipi të rikthehet menjëherë te rezultatet pozitive", njoftojnë kurbinasit.
Mezani e kishte aventurën e dytë në krye të stolit kurbinas, teksa ka drejtuar skuadrën edhe në sezonin 2017-18. Tanimë pritet një emër i ri në stol, teksa nuk përjashtohet mundësia që bardhezinjtë ta gjejnë brenda familjes. Me 33 pikë pas 27 javësh, Laçi mban vendin e tretë nga fundi në Superligë, duke rrezikuar qëndrimin në elitën e futbollit.