Leroy Sane ka vendosur të mbyllë aventurën e tij te Bayern Munich dhe të nënshkruajë me Galatasarayn. Sulmuesi gjerman ka refuzuar ofertën për rinovim me kampionët gjermanë duke u transferuar në Stamboll si lojtar i lirë.
Sipas medieve turke, 29-vjeçari ka arritur marrëveshje për një kontratë 3-vjeçare me Galatasarayn, me një pagë stratosferike prej 15 milionë euro neto në sezon. Konfirmimi i marrëveshjes erdhi pas raundit të fundit të bisedimeve mes palëve të mërkurën.
Bayern kishte bërë një ofertë për rinovim që përfshinte 12 milionë euro fikse plus 3.5 milionë bonuse, por ajo u refuzua nga Sane, i cili tashmë ka informuar klubin se nuk do të jetë pjesë e skuadrës për Botërorin e Klubeve në SHBA.
Largimi i Sane vjen në një moment tranzicioni për Bayernin, i cili tashmë po përgatitet për një rindërtim të repartit ofensiv. Me largimin e Thomas Muller dhe Leroy Sane, klubi bavarez lirohet nga dy prej pagave më të larta në skuadër dhe ka hapësirë për të vepruar në merkato.
Objektivi kryesor për krahun e sulmit mbetet Niko Uilliams i Athletic Bilbaos, ndërsa në listë figuron edhe Bradley Barcola i PSG-së. Gjithashtu, Kim Min-jae mund të ndjekë rrugën e largimit, i kërkuar nga Al Nassr, me Bayern dhe lojtarin që nuk janë kundër transferimit në Arabinë Saudite.
Komente
