Simon Simoni ka bërë hapin e madh në karrierë duke kaluar nga Dinamo te Eintracht Frankfurt në Bundesligën gjermane të futbollit. Portieri 18-vjeçar do luajë në një nga klubet më me zë në Gjermani, teksa prej janarit të 2023 do ketë mundësinë të luajë edhe në Champions League. Kontratë deri në verën e 2027 për Simonin, me Dinamon që arkëton 600 mijë euro.
Hap i madh për djaloshin e Dinamos që për një sezon e gjysmë tregoi veten në Superligë dhe më pas në Kategorinë e Parë. I dalë nga moshat e Shënkollit, Simoni është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë. Frankfurt do shpenzojnë 600 mijë euro për kartonin e portierit, ndërkohë që do të ketë dhe një shumë prej 400 mijë eurosh të tjera bonus në bazë të paraqitjeve të portierit 18-vjeçar. 60% e vlerës do të shkojë në arkat e klubit të Dinamos dhe 40% në Akademinë e Futbollit Shënkolli si klubi ku është formuar Simoni.
"FC Dinamo ka kënaqësinë t'iu njoftojë se ka mbyllur marrëveshjen për transferimin e portierit Simon Simoni në Bundesliga-n gjermane. Prej muajit Janar, portieri 18-vjeçar do të jetë pjesë e ekipit të Eintracht Frankfurt. FC Dinamo i uron Simonit suksese në karrierë dhe i shpreh mirënjohjen për kontributin e dhënë me fanelën e 18 herë kampionëve të Shqipërisë", njofton Dinamo.