Ukraina është 'toka e premtuar' për futbollistët e Partizanit. Klubi i kuq ka njoftuar se Christian Mba do jetë pjesë e FC Metalist 1925 dhe klubi i kuq ka arkëtuar 250 mijë euro nga ky transferim.
"Partizani njofton arritjen e marrëveshjes me klubin FC Metalist 1925 Kharkiv për transferimin e sulmuesit Christian Mba në kampionatin ukrainas të futbollit. Klubi i shpreh mirënjohjen lojtarit për kontributin e dhënë dhe përkushtimin e tij me fanelën e kuqe, me të cilën fitoj edhe titullin kampion të Shqipërisë.
Shumë suksese në aventurën tënde të re Christian Mba. Kënaqësi që ishe pjesë e familjes tonë të madhe FK Partizani", njofton Partizani.
Christian Mba u bashkua me "Demat" në 29 janar 2023 dhe këtë sezon ka luajtur 18 ndeshje dhe ka shënuar pesë gola. Kjo nuk është lëvizja e parë e Partizanit drejt Ukrainës, pasi këtë janar edhe tre futbollistë të tjerë bënë lëvizje nga Partizani drejt Ukrainës.
Tedi Cara do vijojë karrierën te Oleksandria, Arinaldo Rrapaj te Kolos Kovalivka dhe Andi Hadroj te FC Polissya Zhytomyr. Tanimë edhe Mba do jetë pjesë e kampionatit ukrainas.
Në total "Demat" kanë arkëtuar afro 1.2 milionë euro nga këto shitje.