Liverpooli i futbollit ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen e fanellës me numrin 20-të, në një akt të veçantë respekti dhe nderimi për Diogo Jotën, i cili ndërroi jetë javën e kaluar së bashku me të vëllanë në një aksident tragjik me makinë, duke lënë pas një boshllëk të thellë në skuadër dhe në zemrat e tifozëve.
Portugezi i cili iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020, mbajti numrin 20 për pesë sezone, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në sukseset e klubit dhe duke u bërë një figurë e dashur në 'Anfield'. Vendimi për të tërhequr numrin 20 vlen për të gjitha nivelet e klubit, përfshirë ekipin e parë të meshkujve, ekipin e femrave dhe Akademinë e të rinjve.
“Si klub, ishim plotësisht të vetëdijshëm për emocionet e thella të tifozëve tanë dhe ndanim plotësisht të njëjtën gjë. Ishte e rëndësishme për ne që ta përfshijmë Ruten, bashkëshorten e Diogos, dhe familjen e tij në këtë vendim”, deklaroi Michael Edwards, Drejtor Ekzekutiv i Futbollit te Liverpool.
Ky është rasti i parë në historinë e Liverpoolit që një numër fanelle të tërhiqet në nder të një lojtari të ndarë nga jeta në të gjitha hallkat e klubit, një veprim që thekson ndikimin dhe trashëgiminë që Jota la pas.
“Duke e tërhequr këtë numër, po e bëjmë atë të përjetshëm dhe po sigurojmë që Diogo Jota të mos harrohet kurrë. Për Klubin e Futbollit Liverpool, ai do të jetë përgjithmonë numri ynë 20”, shtoi Edwards.
Diogo ❤️ pic.twitter.com/laNxxH46Qx
— Liverpool FC (@LFC) July 10, 2025
Komente
