Maurizio Sarri është zyrtarisht trajneri i ri i Lazios në Serinë A të futbollit në Itali. Klubi bardhekaltër e ka konfirmuar lajmin përmes një postimi në rrjetin social X, duke i dhënë fund pritjes dhe zërave që qarkullonin prej ditësh. Sarri e ka drejtuar Lazion më herët nga korriku 2021 deri më 13 mars 2024 (167 takime).
Në deklaratën zyrtare të klubit thuhet: “Lazio ka kënaqësinë të njoftojë rikthimin e Maurizio Sarrit në krye të ekipit të parë. Pas eksperiencës së nisur në vitin 2021, trajneri toskan rikthehet për të veshur sërish ngjyrat bardhekaltër, i thirrur nga një lidhje që nuk është shkëputur kurrë me ambientin, tifozët dhe një skuadër që nën drejtimin e tij shfaqi ide, lojë dhe përkatësi.”
Lazio i ka besuar Sarrit drejtimin e projektit të ri teknik duke e rikthyer në stol pas 14 muajsh, teksa e ka vlerësuar për stilin e tij unik, përkushtimin dhe filozofinë e punës, elementë që për klubin përbëjnë themelet e ndërtimit të një të tashme ambicioze dhe një të ardhmeje në përputhje me historinë e klubit.
Presidenti Claudio Lotito i ka uruar mirëseardhjen trajnerit.
“Maurizio Sarri është kthyer në shtëpi. Rikthimi i tij është një zgjedhje zemre, bindjeje dhe vizioni. Me të duam të rifillojmë një rrugëtim që u ndërpre shumë shpejt, me bindjen se së bashku mund të rikthejmë entuziazmin, identitetin dhe ambicien. Mirë se u ktheve në shtëpinë tënde, komandant.”
Marrëveshja përfshin një kontratë dy vjeçare me një opsion edhe për një tjetër sezon për Sarrin dhe stafin e tij. 2.5 milionë euro në sezon do jetë paga e trajnerit, kjo pa bonuse. Kujtojmë se Sarri është mbështetësi më i madh i Elseid Hysaj, pasi e ka drejtuar te Empoli, e mori te Napoli dhe më pas Lazio, aty ku e rigjen. Sarri zëvendëson të shkarkuarin Marco Baroni.
Komente
