POLONI - Mesfushori i Kombëtares, Lindon Selahi ka lënë Rijekan si kampion i kampionatit dhe Kupës së Kroacisë për të firmosur një kontratë tre vjeçare me Widzew Lodz në elitën e futbollit polak.
Megjithëse kishte disa kërkesa, përfshi edhe Hajdukun e Splitit, Selahi ka zgjedhur të vijojë karrierën në Poloni edhe për shkak të rrogës më të majme, 500 mijë euro në sezon. Në ekipin e ri ai do të gjejë edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë, Julian Shehun dhe Dion Gallapenin.
Pas prezantimit zyrtar, Selahi ka dhënë edhe deklaratat e para si lojtar i Widzew Lodz.
“Kisha nevojë për një sfidë të re dhe isha shumë i interesuar për idenë e ekipit që po krijohet këtu. E njoh shumë mirë edhe trajnerin, me të cilin kam punuar më parë dhe kemi folur shumë për Widzew. Së pari luajta kundër tij kur ai drejtonte Goricën, pastaj ishim bashkë në Rijeka. Patëm një bashkëpunim të mirë atje dhe një sezon të suksesshëm”, tha mesfushori që ka luajtur katër ndeshje me Kombëtaren kuqezi.
I lindur në Belgjikë, 26-vjeçari Selahi e ka nisur futbollin te moshat e Standard, për të kaluar më pas në akademinë e Anderlecht e më pas në ekipin U-21 të Standard e më vonë me ekipin e parë. Nga Standard Liege Selahi kaloi në Holandë me Twente e Willem II, para se të bashkohej me Rijekan në 2021 dhe të kalonte katër vite në Kroaci.
Komente
