Mirel Josa nuk është më trajner i Vllaznisë. Humbja 2-0 në Laç për javën e 26-të në Superligë këtë të diel, ka bërë që drejtuesit dhe trajneri të gjejnë konsensusin për të shkëputur marrëveshjen. Tanimë skuadra kuqeblu do drejtohet nga dyshja Auron Milori dhe Vioresin Sinani.
"Klubi i Futbollit Vllaznia njofton se ka ndërprerë me mirëkuptim bashkëpunimin me trajnerin Mirel Josa. Falenderojmë trajnerin Josa për kontributin e dhënë në drejtimin e ekipit duke i uruar suksese në angazhimet e ardhshme! Ekipi do vijojë punën nën drejtimin e trajnereve Auron Milori dhe Vioresin Sinani", njofton Vllaznia.
59-vjeçari Josa e drejtoi Vllazninë në 37 ndeshje qysh nga sezoni i shkuar, duke marrë 1.54 pikë mesatare për ndeshje. Prej 15 majit 2022, Josa ishte në krye të klubit kuqeblu. Këtë sezon në Superligë, Vllaznia ka koleksionuar nën drejtimin e Josës dhjetë fitore, nëntë humbje dhe shtatë barazime.
Kryeqytetasi e lë ekipin në kuotën e 37 pikëve në vendin e pestë në Superligë, teksa ia doli që sezonin e shkuar me shkodranët të fitonte Kupën e Shqipërisë.