Atalanta ka konfirmuar zyrtarisht arritjen e marrëveshjes me klubin turk të Galatasaray, për transferimin e italianit Nicolo Zaniolo.
Kampionët e Ligës së Evropës po përforcojnë skuadrën për sezonin e ri, pasi synim i vetëm është të vazhdojnë konkurrimin për trofe. Kështu, klubi nga Bergamo ka kompletuar një transferim të madh siç është ai i sulmuesit anësor, Zaniolo.
Pas kryerjes së djeshme të ekzaminimeve mjekësore, ish ylli i Romës është zyrtarizuar si lojtari i ri i skuadrës ku kapiten është Berat Gjimshiti. Një operacion i mbyllur me huazim me detyrim blerje, siç nënvizohet në njoftimin për shtyp të klubit zikaltër.
“Atalanta ka kënaqësinë të njoftojë se ka blerë nga Galatasaray SK në mënyrë të përkohshme deri më 30 qershor 2025, me të drejtë opsioni dhe detyrim për blerje përfundimtare në rast të plotësimit të kushteve të caktuara të paraqitjeve sportive të futbollistit Nicolo Zaniolo”.