Gennaro Gattuso nuk është më trajneri i Valencias në La Ligan e Spanjës. Klubi ka njoftuar se për shkak të rezultateve, palët kanë gjetur dakordësinë për të prishur kontratën pas gjashtë muajve. Vetëm 22 ndeshje drejtoi italiani Valencian, me një mesatare prej 1.18 pikë për ndeshje. 45-vjeçari më herët ka qenë trajner i Sion, Palermos, OFI Crete, Pisa, Milan dhe Napolit.
"Valencia komunikon se të hënën më 30 janar klubi dhe trajneri i ekipit të parë, Gennaro Gattuso, kanë rënë dakord reciprokisht për t'i dhënë fund marrëdhënies kontraktuale që bashkoi trajnerin italian me klubin”, thuhet në njoftimin për shtyp të skuadrës spanjolle.
"Klubi falënderon trajnerin për angazhimin dhe punën që ka bërë gjatë muajve të fundit në krye të ekipit të parë dhe i uron suksese në të ardhmen. Skuadra do të rikthehet në stërvitje të martën më 31 janar, nën urdhrat e Voro González", tregon Valencia.
Me 20 pikë pas 18 ndeshjeve, Valencia mban vendin e 14 në La Liga, një pikë më shumë se zona e ftohtë e renditjes.