Anis Mehmeti është futbollisti më i ri i Bristol City në Championshipin anglez të futbollit. Sulmuesi 22-vjeçar ka firmosur një kontratë për tre vite e gjysmë dhe do jetë pjesë e nivelit të dytë në futbollin anglez.
I lindur në Londër, djaloshi është pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë dhe pritet të jetë risia e listës për trajnerin e ri të kuqezinjve, Sylvinho. I dalë nga moshat e Tottenham, sulmuesi prej dy sezonesh shkëlqente me Wycombe, teksa bën kapërcimin e madh dhe pritet të ketë minuta në ekipin e ri.
Në Ligën e Parë me Wycombe, këtë sezon Mehmeti ka luajtur në 27 ndeshje dhe ka gjetur 9 herë rrugën e rrjetës, duke asistuar edhe tre herë. Në total këtë sezon sulmuesi i krahut ka qenë në fushë për 2179 minuta, ndërsa njihet për driblimet dhe goditjet e tij që shpeshherë bëhen të vështira për portierët.
“Më pëlqen që jam këtu. Është një klub i madh dhe mezi pres të filloj. Unë dua të fitoj dhe dua të promovohem. Ky është një klub me filozofi për në Premier League dhe unë dua të imponoj mentalitetin tim dhe etikën time dhe të kem ndikim menjëherë. Jam një lojtar krijues, më pëlqen t'i bëj gjërat të ndodhin, të shënoj gola dhe më e rëndësishmja dua të fitoj", tha Mehmeti në prononcimin e tij të parë për Bristol.