Klubi i Partizanit ka shkarkuar nga detyra trajnerin Orges Shehi. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ekipi i ‘Demave’ në një postim në rrjetet sociale.
Shkak për këtë vendim është bërë paraqitja e dobët e ekipit në Kupat e Evropës dhe eliminimi nga Iberia në turin e dytë të Conference League. Shehi firmosi me të kuqtë më 26 dhjetorin e vitit të kaluar dhe kishte kontratë edhe për sezonin e ri që nis më 18 gusht.
Ish-portieri i njohur u shpall nënkampion me “Demat”, skuadër me të cilën ka luajtur edhe gjatë karrierës futbollistike.
‘Partizani njofton mbylljen e marrëveshjes me trajnerin Orges Shehi. Drejtuesit dhe Shehi kanë zhvilluar një takim, në përfundim të të cilit palët kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre.
Partizani dëshiron të falënderoj Orges Shehin për kontributin e dhënë gjatë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit , duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen.
Skuadra do të vijoj përgatitjet në drejtimin e Drejtorit Sportiv Arbër Abilaliaj dhe stafit teknik.’- njofton klubi i Partizanit.
27 ndeshje e drejtoi Shehi Partizanin gjatë kësaj periudhe. Tanimë në krye të stafit teknik rikthehet Arbër Abilaliaj, drejtori sportiv.