Trajneri francez Rudi Garcia është emëruar trajner i kombëtares së Belgjikës. Lajmi është konfirmuar nga Federata Belge e Futbollit.
60-vjeçari Garcia do të prezantohet si trajneri i ri i 'Djajve të Kuq' këtë të premte gjatë një konference për shtyp. Kombëtarja e Belgjikës shkarkoi javën e kaluar trajnerin Domenico Tedesco. Ish-trajneri i RB Leipzig u kritikua ashpër për rezultatet e tij të dobëta dhe trajtimin jo të mirë të listës së talenteve që kishte në dispozicion.
Garcia ishte trajner i lirë, kjo pasi për një periudhe të shkurtër qëndroi në krye të kampionëve të atëhershëm të Serisë A, Napoli. Ai u shkarkua në shkurt 2023 pas një serie rezultatesh zhgënjyese.
Trajneri është i njohur në Belgjikë për shkak të paraqitjeve të tij me skuadrën e Ligue 1, Lille. Ai udhëhoqi ekipin ku asokohe bënte pjesë edhe Eden Hazard në një dopio trofesh të Ligës dhe Kupës në vitin 2011.
Garcia ishte zgjedhja e preferuar e drejtorit sportiv të FA të Belgjikës, Vincent Mannaert i emëruar së fundmi, i cili ishte ngarkuar të gjente një zëvendësues për Tedesco.
Sipas L'Equipe , u konsideruan edhe ish-zëvendës trajneri i Belgjikës, Thierry Henry dhe ish-trajneri i Manchester United, Erik Ten Hag.