Sergio Conceicao, trajneri i Milanit

Sport

Zyrtare/ Sergio Conceicao është trajneri i ri i Milanit, detajet e kontratës! Debuton kundër të birit te Juve

30 Dhjetor 2024, 14:48| Përditesimi: 30 Dhjetor 2024, 15:46

  • Share

Sergio Conceicao është trajneri i ri i Milanit. Portugezi do zëvendësojë në stolin e kuqezinjve patriotin e tij, Paulo Fonseca, që u shkarkua dje pas barazimit 1-1 kundër Romës.

Trajneri Conceicao ka firmosur për dy vite e gjysmë me "Djallin", teksa do ketë me vete edhe stafin e tij.

"AC Milan njofton se Sérgio Paulo Marceneiro da Conceição është emëruar si trajneri kryesor i ekipit të parë të meshkujve deri më 30 qershor 2026. Klubi e pret me mirëseardhje të ngrohtë Sérgio-s dhe stafit të tij, duke uruar një udhëtim plot sukses dhe përmbushje objektivash", shkruan Milani.

50-vjeçari është i njohur në Serie A pasi si futbollist ka shkëlqyer me Lazion si dhe ka qenë pjesë e Interit dhe Parmës (1998-2004). Si trajner Sérgio Conceição ka drejtuar Olhanense, Coimbra, Braga, Guimaraes, Nantes dhe së fundmi Porton.

Interesant është fakti se një nga djemtë e trajnerit të ri të Milanit, Francisco, është pjesë e Juventusit po në Serie A. 

Starti i kësaj aventure të re do të jetë mjaft intensiv pasi kalendari i ka rrezervuar Milanit 7 ndeshje në 23 ditë. Për Sergion fillimi do të jetë i vështirë pasi Milani do të ndeshet në gjysëmfinalet e Superkupës së Italisë me Juven e Franciscos më 3 janar 2025.

 

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni në vitin 2025?