Bledar Devolli është trajneri i ri i Teutës në Superligë. Klubi durrsak prezantoi gjirokastritin që e ka përvojën e parë në stolin e Bluve. Kjo lëvizje erdhi pasi Teuta shkarkoi një ditë më parë Edi Martinin për shkak të rezultateve të dobëta.
"Klubi i Futbollit Teuta njofton zyrtarizimin e trajnerit Bledar Devolli në krye të pankinës blu. Pas një eksperience të gjatë si trajner që e njeh mirë Superioren, klubi ka vendosur t’i besojë Devollit statusin e trajnerit të ekipit të parë të KF Teuta. KF Teuta i uron mirëseardhje dhe shumë suksese në këtë rrugëtim", njofton klubi durrsak.
Devolli nuk është një emër i panjohur në Shqipëri. 47-vjeçari në karrierën si futbollist ka qenë ndër mesfushorët më të spikatur për grintën dhe energjinë në fushë, duke luajtur me klubet më të mira në vend.
Prej 2014 ai ka qenë në rolin e trajnerit në shumë klube. Luftëtari, Kamza, Bylis, Kek-u (Kosovë), Tomori, Kastrioti, Drenica, Dinamo, Turbina, Luzi, Kukësi, Iliria dhe së fundmi Liria e Prizrenit; ekip me të cilin prishi kontratën për të kaluar në Durrës.
Momentalisht Teuta ndodhet në vendin e shtatë me 23 pikë pas 21 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë. Devolli debuton kundër Skënderbeut në Korçë, këtë të shtunë.
Komente
