Shpëtim Duro është prezantuar si trajneri i ri i Egnatias. Pas vetëm pak muajsh pushimi, 62 vjeçari ka gjetur akordin me ekipin nga Rrogozhina dhe ka drejtuar lojtarët në stërvitjen e parë. Humbja 1-2 me Teutën në javën e tetë të Superligës solli edhe shkarkimin e trajnerit Edlir Tetova nga Egnatia, me presidentin Agim Demrozi që ia ka besuar frenat e skuadrës një emri të njohur në vend.
Duro ka për detyrë të rrisë performancën e skuadrës, që në verë pati ndryshim total në organikë. Tanimë trajneri do debutojë në javën e nëntë të Superligës me Egnatian, pikërisht në sfidën kundër ish-skuadrës që e ka drejtuar më parë, Kukësit.
Duro në karrierën e tij ka drejtuar Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Shkëndijën, Flamurtarin, Dritën, Kukësin dhe Laçin. Në sezonin 2010-11 Duro ka dalë kampion i Shqipërisë me Skënderbeun. Pas eksperiencës në Kupat e Evropës me Laçin në verë, Duro u largua nga kurbinasit.