Wojciech Szczesny do të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës edhe për dy vite të tjera. Klubi katalanas ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës me portierin polak, i cili tashmë ka firmosur deri në verën e vitit 2027, kur do të jetë 37 vjeç.
Kontrata e mëparshme e Szczesny kishte skaduar javën e kaluar, por trajneri Hansi Flick ka insistuar që ta ketë veteranin në dispozicion që në ditët e para të përgatitjeve për sezonin e ri.
Szczesny, i cili kishte njoftuar tërheqjen nga futbolli, u rikthye nga 'pensioni' më pak se dy muaj pas largimit, për të zëvendësuar Marc-André ter Stegen, i cili u dëmtua rëndë në shtatorin e kaluar. Fillimisht i detyruar të presë në stol për tre muaj, portieri polak fitoi vendin e titullarit në janar dhe e përfundoi sezonin si një nga lojtarët kyç të skuadrës.
Gjatë sezonit të kaluar, Szczesny ndihmoi Barcelonën të fitojë La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës, duke dëshmuar përvojën dhe stabilitetin që solli në prapavijë.
Me transferimin e Joan Garcia, për të cilin Barcelona aktivizoi klauzolën e lirimit këtë verë, pritet që Szczesny të ketë një rol si rezervë në sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, drejtuesit e klubit dhe trajneri Flick e vlerësojnë shumë ndikimin e tij në dhomën e zhveshjes dhe eksperiencën në ndeshje të mëdha.
Aktualisht Barcelona ka katër portierë të ekipit të parë, duke krijuar konkurrencë të fortë për pozicionin mes shtyllave në sezonin 2025-26.
Komente
