Këtë të premte, presidenti i Barcelonës Joan Laporta ka informuar Xavi Hernandezin se nuk do të vazhdojë të jetë trajner i ekipit të parë në sezonin 2024-25.
Takimi u zhvillua në qytetin sportiv 'Joan Gamper' dhe ishin të pranishëm zëvendëspresidenti sportiv Rafa Yuste, drejtori i sportit Anderson Luís de Souza, Deco, Xavi, Òscar Hernández dhe Sergio Alegre.
Barcelona falenderoi Xavin për punën si trajner, si dhe për karrierën e tij të paimitueshme si lojtar dhe si kapiten skuadre dhe i uron atij çdo sukses në të ardhmen.
Xavi Hernandez do të jetë trajner i skuadrës për herë të fundit në ndeshjen e së dielës si mik ndaj Sevillas. Gjatë ditëve në vijim, Barcelona do të bëjë një njoftim në lidhje me strukturën e re të ekipit të parë.
Largimi i Xavit vjen në një kohë kur çështja e trajnerit te Barcelona u bë një "telenovelë", kjo për faktin se në janar ai konfirmoi largimin në fundin e sezonit dhe disa javë më parë rinovoi me ekipin edhe për sezonin e ri, duke bërë prapakthehu.
Vetëm pak ditë më parë te Barcelona pati sërish "krisma", me Xavin që u ankua për buxhetin dhe stabilitetin financiar, teksa tani erdhi edhe shkarkimi zyrtar.