Sherif Kallaku është futbollisti më i ri i Teutës në Superligë. Ashtu siç njoftoi Report Tv disa ditë më parë, fantazisti 24-vjeçar është rikthyer për herë të tretë te Teuta. "Djemtë e Detit" kanë konfirmuar mesfushorin për pjesën e mbetur të sezonit. Edhe pse Kallaku luajti 13 ndeshje dhe shënoi dy gola me Tiranën në gjashtë muaj, largimi i tij nuk është shmangur edhe pse kontrata me bardheblutë ishte 3 vjeçare.
"KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë se mesfushori Sherif Kallaku, është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Lojtari bashkohet me Teutën pasi ishte pjesë e Tiranës në gjysmën e parë të sezonit. Pas arritjes së marrëveshjes dhe zyrtarizimit të bashkëpunimit, Kallaku nga sot është bashkuar me skuadrën në Durrës ku po zhvillohen përgatitjet për ndeshjen ndaj Kastriotit", njofton Teuta. Në karrierën e tij, Kallaku ka luajtur me ekipe si Laçi, Teuta, NK Lokomotiva Zagreb, Partizani dhe Tirana.