Edi Martini

Sport

Zyrtare/ Teuta shkarkon Edi Martinin, durrsakët gjejnë trajnerin e ri

21 Janar, 16:14| Përditesimi: 21 Janar, 16:29

  • Share

Edi Martini nuk është më trajneri i Teutës në Superligë. Klubi durrsak ka një akord me Bledar Devollin, trajnerin që orët e fundit dha dorëheqjen nga Liria e Prizrenit në Kosovë.

"Klubi i futbollit Teuta njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Edi Martini. Gjatë këtij sezoni, Martini ka dhënë kontributin e tij në drejtimin e ekipit. E falënderojmë për punën dhe përkushtimin e tij dhe i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme. Në ditët në vijim, do të zyrtarizohet trajneri i ri që do të drejtojë ekipin tonë në sfidat e ardhshme", njofton klubi durrsak.

Edi Martini u ul për herë të pestë në stolin e Teutës më 26 shtator 2023 dhe gjatë kësaj periudhe e ka drejtuar ekipin në 56 takime, me një mesatare prej 1.3 pikësh për ndeshje.

Humbja e fundit 0-2 nga Partizani fundjavën e shkuar në "Niko Dovana" ka rezultuar fatale për trajnerin shkodran që sheh të mbetet i papunë. Kjo ka qenë periudha e pestë për të në krye të stolit durrsak. Për herë të parë ai e drejtoi Teutën në sezonin 2010-11 dhe më pas në sezonet 2019-2021, 2021-22, 2022-23 dhe 2023-2025.

Emri i tij është i lidhur ngushtë me atë të Teutës, pasi në sezonin 2020-21 fitoi Superligën dhe Superkupën, ndërsa një vit më herët kishte fituar Kupën e Shqipërisë.

Martini e lë Teutën në vendin e shtatë me 23 pikë pas 21 ndeshjeve të luajtura këtë sezon në Superligë. Kujtojmë se në pak orë ky është largimi i dytë i trajnerëve nga ekipet e Superligës, pasi të hënë Tirana zyrtarizoi largimin e Gugash Maganit dhe rikthimin e Bledi Shkëmbit.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Arben: 21/01/2025 16:53

    Edin, duhet ta marre sa me pare Vllaznia, nese duan te fitojne kampionatin. Eshte super.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Informaliteti e nëndeklarimi pagave po dëmtojnë pensionet, sa po luftohen?