KF Tirana vazhdon të jetë një nga klubet më aktive në këtë merkato vere, duke forcuar ndjeshëm organikën për sezonin e ri. Pas largimit të portierit Gentian Selmani drejt Teutës, bardheblutë kanë gjetur menjëherë zëvendësuesin. Bëhet fjalë për Angelos Tafas, një emër i njohur në futbollin shqiptar, që më herët ka qenë pjesë e Kukësit dhe Teutës.
Portieri 25-vjeçar është prezantuar zyrtarisht nga klubi kryeqytetas.
“Tafas vjen si një përforcim i rëndësishëm për sezonin e ri, duke sjellë siguri, përvojë dhe karakter në prapavijë”, shkruhet në njoftimin e klubit. “I njohur për refleksin dhe përqendrimin maksimal, ai është gati të bëhet një mur i pakalueshëm përballë çdo kundërshtari.”
Por nuk mbaron me kaq. Tirana ka zyrtarizuar edhe afrimin e mesfushorit Kleandro Lleshi, i cili së fundmi ka qenë pjesë e Laçit, ndërsa më herët ka luajtur edhe për Kukësin.
“Lleshi është një mesfushor i ri dhe premtues, me aftësi të spikatura teknike dhe disiplinë taktike. Ai i bashkohet ekipit me ambicie të qarta për të dhënë maksimumin dhe për të kontribuar në objektivat e klubit më të madh në vend”, njofton KF Tirana.
Lleshi është afrimi i pestë në vetëm dy ditë për klubin më të titulluar të Shqipërisë, pas mesfushorëve Tsotne Patsatsia e Serxho Vogli, sulmuesit Serge Tabekou dhe tashmë edhe portierit Angelos Tafas.
Komente
