Cristian Shpendi ka marrë më në fund ftesën e shumëpritur për t’iu bashkuar Kombëtares A të Shqipërisë. Sulmuesi kuqezi, i cili më herët ka qenë pjesë e ekipeve U19 dhe U21, ka bindur trajnerin Sylvinho dhe do të jetë në listën e grumbullimit për ndeshjet e shtatorit.
Sipas mediave italiane, te Cesena ka mbërritur ftesa për lojtarin që po shkëlqen prej disa sezonesh fillimisht në Serie C e më pas në Serie B. Shpendi pritet të jetë në dispozicion të trajnerit për dy sfidat e ardhshme, një miqësore ndaj Gjibraltarit më 4 shtator, ku Sylvinho mund të eksperimentojë, si dhe ndeshjen vendimtare kundër Letonisë në kuadër të kualifikimeve për Botërorin (9 shtator në Tiranë).
Ftesa për 21-vjeçarin është konsideruar prej kohësh si e merituar, por deri më tani sulmuesi nuk ishte përfshirë në planet e trajnerit brazilian të Shqipërisë. Forma e tij e mirë me Cesenan ka bërë që tekniku të mos e injorojë më një nga sulmuesit shqiptarë më produktivë të momentit.
Komente
