Albion Rrahmani është sulmuesi më i ri i Rapidit të Bukureshtit në elitën e futbollit rumun. Kampionët e Kosovës, Ballkani e ka lënë të lirë sulmuesin për 650 mijë euro, me 22-vjeçarin që bëhet lojtari më i shtrenjtë i shitur nga klubet e Superligës së Kosovës.
Kontratë tre vjeçare për sulmuesin, që ka të drejtën e rinovimit. Sezonin e fundit në elitën kosovare, Rrahmani zhvilloi 50 ndeshje dhe shënoi 30 gola, si dhe dhuroi tetë asiste në të gjitha kompeticionet.
I dalë nga moshat e Llapit, Ballkani i besoi djaloshit në 2021 duke e afruar nga Malisheva, aty ku mbante edhe nofkën "Ibrahimovic". Duket se besimi që Ilir Daja i ka dhënë në sulmin e suharekasve ka sjellë edhe rritjen e kartonit të tij, si pasojë e performancës së mirë.
"Ndihem shumë mirë. Jam shumë i emocionuar që jam këtu. Unë dua t’ua dëshmoj vlerën time tifozëve dhe klubit sa më shpejt të jetë e mundur. Mezi pres të debutoj dhe të marr disa ndeshje. Zgjodha Rapidin për shkak të projektit që synohet të zbatohet këtu. Është një projekt shumë i mirë dhe e ndjeva se ishte më e mira të isha këtu", ka thënë Rrahmani për faqen zyrtare të klubit rumun në prezantim.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës ka zgjedhur të mbajë numrin nëntë mbi shpinë.