Yulia Kirillova dhe Darren Beattie

Opinion

Zyrtari amerikan në telashe për martesën me mbesën e oligarkut rus

9 Qershor, 11:36| Përditesimi: 9 Qershor, 11:41

  • Share

Një zyrtar i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka shpërbërë njësinë kundër dezinformimit rus, është i martuar me një grua ruse që ka lidhje me Kremlinin, ka zbuluar The Telegraph.

Darren Beattie ka shkaktuar shqetësim brenda Departamentit të Shtetit që nga emërimi i tij në shkurt, për qëndrimet e tij haptazi pro-ruse. Ai është veçuar për përqendrimin e tij në shkatërrimin e agjencisë që ishte ngarkuar me luftimin e propagandës së Kremlinit.

Beattie, nënsekretar në detyrë për diplomacinë publike dhe çështjet publike, është i martuar me një grua, xhaxhai i së cilës ka mbajtur disa pozicione në politikën ruse dhe ka marrë një mesazh personal falënderimi nga Vladimir Putin.

Para se të hynte në qeveri, Beattie kishte postuar në rrjetet sociale duke sugjeruar që institucionet perëndimore duhej të “infiltroheshin” nga Putini, ndërsa sulmonte atë që ai e përshkruante si “perandoria globaliste amerikane”.

Donald Trump ndodhet nën presion nga shumë senatorë republikanë për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj liderit rus, ndërsa ai vijon të refuzojë nënshkrimin e një marrëveshjeje armëpushimi teksa lufta në Ukrainë vazhdon.

Shumë postime të Beattie përqendrohen edhe te Kina, ku ai i bën thirrje SHBA-ve të dorëzojnë Tajvanin përballë Pekinit, dhe e quan Britaninë “mbretëria e mjerë dhe e dëshpëruar” që do ishte “shumë më mirë nën dominimin kinez”.

Burime në Departamentin e Shtetit kanë shprehur dyshime serioze nëse Beattie i është nënshtruar një kontrolli të sigurisë, procedurë që thuhet se është zbutur nën presidencën Trump.

Beattie ishte pjesë e administratës së parë të Trump, por u shkarkua në vitin 2018 pasi mori pjesë në një konferencë të të djathtës ekstreme nacionaliste. Më pas, ai rindërtoi imazhin e tij si figurë e të djathtës alternative në media.

Në maj 2021, ai u martua me një grua ruse të quajtur Yulia Kirillova në një ceremoni në Broward County, Florida. Sipas faqes së saj në Facebook, Yulia është shkolluar në Moskë, përpara se të studionte në Kanada dhe Washington DC. Ajo është mbesa e Sergei Chernikov, një magnat rus i industrisë së pijeve, i cili zotëron një apartament bashkë me nënën e saj, Natalia.

Chernikov, pasuria e të cilit në vitin 2005 u vlerësua në 150 milionë dollarë, thuhet se ka marrë një letër falënderimi nga Vladimir Putin për ndihmën e dhënë gjatë fushatës zgjedhore që e solli atë në pushtet për herë të parë.

Po atë vit, Chernikov hyri në politikë duke marrë një pozicion në Ministrinë e Burimeve Natyrore, përpara se të emërohej zëvendës-guvernator në rajonin Nenets të Siberisë.

Nga 2008 deri më 2010, ai ishte anëtar i Dhomës Civile të Rusisë, e cila u themelua me propozim të Putinit dhe në teori synonte të kontrollonte aktivitetet e qeverisë. Kritikët në atë kohë thoshin se kjo dhomë do të shërbente për të forcuar kontrollin e Kremlinit dhe për të dobësuar Dumen e Shtetit.

Qoftë para, qoftë pas martesës me mbesën e Chernikovit, Beattie ka sulmuar vazhdimisht atë që ai e quan “perandoria globaliste amerikane”, ndërsa ka lëvduar si Rusinë, ashtu edhe Kinën, si kundërpeshë ndaj ideologjisë “woke”.

“Ngritja e kundërshtarëve gjeopolitikë jo-woke (Kina) dhe anti-woke (Rusia) ndaj Perandorisë Globaliste Amerikane nuk është gjë e keqe,” shkruante ai në tetor 2021.

Ai gjithashtu shprehej se mezi priste që “prestigji dhe fuqia e saj” të rrëzoheshin në skenën ndërkombëtare, duke pretenduar se “pozita e saj në rendin global po degradon me shpejtësi”.

Beattie dhe media që ai themeloi, Revolver, kanë përhapur me vite ide konspirative sipas të cilave SHBA është përpjekur të nxisë “revolucione ngjyrash” në Ukrainë, Hong Kong, Xinjiang dhe Mianmar – një narrativë që përdoret shpesh nga propaganda ruse dhe kineze për të diskredituar lëvizjet pro-demokratike si grusht shteti të mbështetur nga Perëndimi.

Disa muaj para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, ai shkruante: “Imagjinoni vajtimin e Perandorisë Globaliste Amerikane nëse Putini ‘pushton’ Ukrainën… më pëlqen kur burokratët tanë të sigurisë kombëtare dështojnë!”

Ai gjithashtu e ka quajtur Putinin “i guximshëm dhe i fortë” dhe ka pretenduar se lideri rus “ka bërë më shumë për avancimin e qëndrimeve konservatore në SHBA se çdo republikan tjetër”.

“NATO është një kërcënim shumë më i madh për lirinë amerikane sesa ka qenë ndonjëherë Putini,” ka shkruar ai.

Në një postim tjetër, ai deklaronte: “Institucionet perëndimore do të përmirësoheshin ndjeshëm nëse kontrolloheshin drejtpërdrejt nga Putini.”

Shumë nga komentet e tij janë drejtuar kundër Britanisë, duke pretenduar se ajo trajton “njerëzit e bardhë shumë më keq se sa trajtohen ujgurët nga Kina”.

Ai e ka quajtur Britaninë një “gropë mutrash” dhe “dystopia më neveritëse në planet”.

Sipas Facebook-ut të Kirillovës, ajo është zhvendosur në Washington më 28 janar, rreth një javë para se Beattie të fillonte detyrën e tij në Departamentin e Shtetit.

Pavarësisht përgjegjësive të gjera, Beattie është përqendruar në çmontimin e njësisë kundër dezinformimit të huaj, të njohur si R/Fimi, ndërkohë që ka shtyrë për rindërtimin e marrëdhënieve kulturore me Rusinë, përmes fushave si baleti dhe hokej.

Burime të brendshme thonë se ai ka ndërhyrë edhe në materiale të klasifikuara që lidhen me Rusinë, duke ngjallur shqetësime për sigurinë kombëtare.

R/Fimi ishte një njësi relativisht e vogël me një buxhet prej rreth 50 milionë dollarësh, por që gjurmonte dhe kundërshtonte propagandën nga Rusia, Kina dhe Irani.

Revolver, media e Beattiet, e kishte sulmuar për vite këtë agjenci, duke e cilësuar si pjesë të një “rrjeti censure” që synonte të heshtte zërat konservatorë.

Pasi u emërua, ai punoi për ta shpërbërë atë pjesë-pas-pjese, duke larguar kontraktorë dhe duke urdhëruar që zyrtarët të mos komunikonin me kolegët apo partnerët pa leje eksplicite.

Në prill, ai njoftoi se agjencia ishte “në kundërshtim të fortë me prioritetet e administratës” dhe e mbylli zyrtarisht.

Marco Rubio konfirmoi atë ditë se Beattie kishte pasur një rol kyç në shpërbërjen e R/Fimi.

Në të njëjtën kohë, Beattie po kërkonte të rikthente lidhjet me Rusinë përmes programeve të shkëmbimit kulturor.

Ai është gjithashtu i kufizuar me mandat 210-ditor si zyrtar në detyrë, përpara se të duhet të konfirmohet nga Senati për të qëndruar në detyrë.

Ndërkohë, ai është përpjekur të marrë dokumente të brendshme nga R/Fimi për ta paraqitur atë si një strukturë që synonte të sulmonte konservatorët.

Ai ka kërkuar komunikime që përmendin Trump dhe aleatët e tij, ndërkohë që kishte bërë më herët postime ofenduese edhe ndaj Rubio-s, duke e akuzuar se kishte marrë pjesë në “party me shkumë homoseksualësh”.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit ka deklaruar: “Askush në Amerikë nuk shqetësohet për një rubrikë thashethemesh britanike. Këto janë lajme të rreme, edhe për standardet e tabloideve.”

“Darren është një koleg i shkëlqyer dhe i përkushtuar për të avancuar axhendën ‘America First’ të Presidentit Trump.”

“Vetëm në pak muaj, ai ka drejtuar projekte të nivelit të lartë që janë thelbësore për një politikë të jashtme që vendos interesat tona kombëtare në radhë të parë.”

Chernikov dhe Kirillova nuk kanë dhënë koment për këtë histori.

Beattie i ka quajtur akuzat “mbeturina shpifëse dashakeqe, që janë poshtë edhe standardeve të shtypit tablodian britanik.”/The Telegraph

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si iu duket situata e trafikut në vend?