Derek Chollet

Zyrtari i lartë i DASH: Nuk po shohim zbatim të madh të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës

18 Maj 2023, 19:30| Përditesimi: 18 Maj 2023, 19:33

  • Share

Pavarësisht se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk e kanë nënshkruar, për Shtetet e Bashkuara, Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, tha këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Chollet i bëri këto deklarata në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku u diskutua për politikën e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk po shohim zbatim të madh të kësaj marrëveshjeje nga asnjëra palë”, deklaroi Chollet.

Chollet, gjatë fjalës hyrëse tha se rajoni i Ballkanit Perëndimor është prioritet për administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.

Duke folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ai tha se ato paraqesin sfidën kryesore në këtë rajon. Chollet përsëriti se rruga evropiane e të dyja shteteve nuk mund të ndodhë, nëse ato nuk i zgjidhin mosmarrëveshjet ndërmjet vete.

Marrëveshja drejt normalizimit, sipas Chollet, do të sjellë përfitime për të dyja shtetet, duke shtuar se SHBA-ja vazhdon t'i inkurajojë palët që t'i zbatojnë zotimet e tyre.

Zyrtari i lartë i DASH-it tha se SHBA-ja inkurajon liderët e Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes, pasi tha se ata duhet të kenë kurajë që të “ndërmarrin rreziqe” që të shtyjnë përpara këtë proces.

Gjatë senacës, senatori Chris Murpy pyeti këshilltarin Chollet për shembujt evropianë, që mund të përdoren nga Kosova si model për themelimin e Asociacionit dhe se si ai nuk do të shndërrohej në një Republikë Sërpska.

“Sipas pikëpamjes sonë, Asociacioni bazohet në Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të jenë në gjendje të marrin shërbime të barabarta dhe t’iu dëgjohet zëri. Ideja është që serbët në veri të Kosovës të jenë më pak të varur nga Beogradi dhe [Asociacioni] të fokusohet në edukim, shëndetësi dhe zhvillim lokal ekonomik, e gjëra të ngjashme. Kemi qenë shumë të qartë, ne nuk do të pranojmë e as mbështesim diçka që sadopak do t’i ngjasonte Republikës Sërpska. Siç thatë, BE-ja ka dhjetëra shembuj brenda BE-së struktura të ngjashme me Asociacionin, si në veri të Italisë, në Zvicër, në Finlandë, ku ka minoritete, ku ka një lloj shkalle të kontrollit lokal mbi pjesë të jetës së tyre”, tha Chollet.

Në këtë seancë mori pjesë edhe i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. REL

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?