Një delegacion i Partisë Komuniste Kineze me zyrtaren e Partisë Progresive Serbe, Marina Ragus

Zyrtari i lartë i Partisë Komuniste të Kinës e viziton Serbinë

14 Tetor, 22:51| Përditesimi: 14 Tetor, 22:52

  • Share

Një zyrtar tjetër i lartë i Partisë Komuniste të Kinës ka shkuar për një vizitë në Serbi, gjë që tregon për bashkëpunimin e ngushtë mes këtyre dy vendeve.

Li Xiaoxin, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe drejtori i Komisionit Shtetëror për Reformën e Sektorit Publik, mbërriti në Beograd më 14 tetor, një muaj pas vizitës së Lin Ëu, sekretarit të partisë për Provincën Shandong.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u takua me Lin, tha se Serbia është jashtëzakonisht krenare për “marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësinë e hekurt dhe bashkëpunimin e përgjithshëm me Kinën”.

Vuçiq e postoi një foto të takimit në Instagram, duke thënë se ai dhe Li diskutuan për bashkëpunimin ekonomik midis Serbisë dhe Kinës.

Ky bashkëpunim është duke u zhvilluar “në mënyrë dinamike” përmes projekteve të shumta të infrastrukturës dhe energjisë dhe bashkëpunimit gjithnjë e më “intensiv” të investimeve, veçanërisht në sektorin e minierave dhe industrinë e automobilave, tha Vuçiq.

Serbia është një nga vendet që janë pjesë e nismës së Kinës "Një Brez, Një Rrugë", për financimin e projekteve të infrastrukturës me kredi kineze.

Përveç takimeve me zyrtarë në Beograd, anëtarët e delegacionit kinez po takohen me udhëheqësinë e Partisë Progresive Serbe (SNS).

SNS-ja tha më 14 tetor se vizita e tij po ndodh pas themelimit të bashkëpunimit midis Serbisë dhe Kinës dhe pas bashkëpunimit të ngushtë partiak midis SNS-së dhe PKK-së, të udhëhequr nga presidentët Aleksandar Vuçiq dhe Xi Jinping.

Marina Ragus, anëtare e presidencës së SNS-së dhe nënkryetare e Parlamentit serb, tha se dy vendet janë në një fazë të re të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe kanë vazhduar të mbështesin njëra-tjetrën që nga vizita e Xi-së në Serbi në maj.

Ajo nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment rreth vizitave të shpeshta të delegacioneve të partisë kineze.

Vuk Vuksanoviq, hulumtues në Qendrën për Politika të Sigurisë në Beograd (BCSP), i tha REL-it se dialogu i intensifikuar midis dy partive dhe elitave politike është një pjesë integrale e partneritetit serbo-kinez.

“Këto vizita të shpeshta flasin për intensitetin e atij partneriteti dhe tregojnë një realitet që ekziston për të paktën gjashtë vjet, që është se Kina ka zëvendësuar Rusinë si partnerin kryesor të Serbisë jashtë botës perëndimore”, thotë Vuksanoviq.

Ndërkohë, një delegacion i qeverisë së provincës veriore të Serbisë, Vojvodinës, i udhëhequr nga presidentja provinciale Maja Gjojkoviq, është duke e vizituar Provincën Shandong të Kinës.

Qeveria e Vojvodinës njoftoi më 13 tetor se zyrtarët diskutuan për bashkëpunimin dhe zbatimin e projekteve nga kompanitë kineze në Vojvodinë./ REL

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?