Tiranë- Forcimi i luftës ndaj krimit të organizuar ishte tema e diskutimeve mes Policisë së Shtetit Shqipëri dhe Policisë së Shtetit Itali.
Ditën e sotme, në Tiranë mbërriti për vizitë një delegacion i policisë italiane, që kryesohej nga Prefekti Alessandro Giuliano, drejtor Qendror i Antikrimit në Departamentin e Sigurisë Publike.
Kjo ishte një kthim vizite e disa ditëve më parë të kryepolicit Ilir Proda, i cili priti sot (26 mars) në zyrën e tij miqtë italianë.
“Vizita e Prefektit, pas vizitës në Romë, disa ditë më parë, të Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda dhe Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati. Prioritet i këtij takimi ishte diskutimi mbi hapat konkretë që do të ndërmarrin në vazhdim te dyja policitë, me objektiv forcimin e luftës kundër krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”, njoftoi institucioni.
Proda dhe Giuliano vlerësuan ndër të tjera edhe bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, veçanërisht ndërmjet Policive Kriminale.
Bëhet fjalë për krijimin e një sërë skuadrash hetimore të përbashkëta në proces e sipër, si dhe me finalizimin e operacioneve kundër trafikimit të lëndëve narkotike, për goditjen e organizatave kriminale dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
“Drejtor Proda e siguroi Prefektin Giuliano se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me partnerët, mbi baza besueshmërie dhe profesionalizmi”, theksohet në deklaratë.
Më tej, Prefekti Giuliano zhvilloi një takim me drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe me drejtuesit e drejtorive të këtij departamenti.
Gjatë takimit, Prefekti vlerësoi “vendosmërinë dhe kapacitetet hetimore e profesionale të Policisë shqiptare, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim informacionesh dhe sinjalesh, pa barriera”.
Komente
