Kombëtarja shqiptare nisi të hënë zyrtarisht përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të Nations League ndaj Çekisë dhe Ukrainës (në Tiranë, më 16 dhe 19 nëntor). Disa prej lojtarëve kanë mbërritur në Tiranë, ndërsa grupit pritet të jetë i plotë ditën e sotme.
Në seancën e zhvilluar dje në stadiumin “Air Albania” morën pjesë Ylber Ramadani, Myrto Uzuni, Ivan Balliu, Kristjan Asllani, Ardian Ismajli, Arbër Hoxha, Mario Mitaj, Alen Sherri, Simon Simoni, Elseid Hysaj, Andi Hadroj, Thomas Strakosha dhe Feta Fetai.
Me grupin kuqezi u bashkuan dhe një pjesë të mirë të lojtarëve të Kombëtares U-21, që janë grumbulluar në kuadër të dy ndeshjeve miqësore me Moldavinë që luhen në Shqipëri në datat 15 dhe 18 nëntor.
Mësohet se Berat Gjimshiti, Keidi Bare dhe Marash Kumbulla nuk do të jenë pjesë e grupit për dy ndeshjet e nëntorit.
Gjimshiti u dëmtua në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Udineses, ndërsa Bare dhe Kumbulla ishin të dëmtuar dhe pas komunikimit të stafit mjekësor të Kombëtares me klubet përkatëse është vendosur që futbollistët të vazhdojnë rikuperimin.
Sakaq, Rey Manaj mbërriti dje në grumbullim dhe i është nënshtruar menjëherë testeve mjekësore. Pas shqyrtimit nga ana e stafi mjekësor u konkludua se sulmuesi nuk mund të rikuperohet në kohë dhe u vendos që Manaj të rikthehet në klubin e tij për të vijuar me programin e rekuperimit.
Për shkak të këtyre katër mungesave trajneri Sylvinho ka vendosur të grumbullojë për dy ndeshjet e nëntorit Adrian Bajramin, Jon Mersinajn dhe Arbnor Mujën. Lojtarët pritet të bashkohen me kuqezinjtë gjatë të martës për të nisur stërvitjen.