Charles McGonigal, Fjoralba Dizdari dhe Enri Ceno

Zyrtarja e Berishës reagon për foton krah McGonigal: Isha në darkë me ish-partnerin një i njohur i yni na prezantoi me të

2 Shkurt 2023, 10:19| Përditesimi: 2 Shkurt 2023, 18:18

  • Share

Fjorlaba Dizdari, anëtare e Këshillit Kombëtar në PD, ka reaguar në lidhje me foton e bërë publike së fundmi ku shihet se bashku me Sekretarin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në PD-në e Berishës, Enri Çenon, të cilët shfaqen me ish-zyrtarin e FBI nën hetim, Charles McGonigal. Dizdari shkruan se ajo po darkonte me ish partneri për ditëlindjen e saj dhe në përfundim, nëpërmjet një të njohuri të tyre, u ftuan për një pije dhe aty u prezantuam me zyrtarin e huaj. Sipas Dizdarit nuk ka qënë e përfshirë asnjëherë në interesa financiare me personat në fjalë, as si shtetase shqiptare, as si pjesë e Partisë Demokratike dhe asnjë aludim i këtij lloji.

'Për sqarim të opinionit publik, kjo foto është e datës 16 nëntor, i 5 viteve me parë, ku unë dhe ish partneri im, po darkonim për ditëlindjen time. Pranë tavolinës tonë ishte një mik i joni me partneren e tij, të cilët na u bashkuan në mbrëmje. Në përfundim të darkës, nëpërmjet një të njohurit tonë, na ftuan të dy çifteve për një pije dhe aty u prezantuam me zyrtarin e huaj. Kjo foto është bërë me insistimin e tyre dhe pranuam pa asnjë kompleks. Tavolinës i’u shtuan zyrtarë të Partisë Socialiste dhe ne nuk ndejtëm gjatë dhe u larguam. Ka qënë hera e parë dhe e fundit që unë jam takuar me këtë njeri, ndryshe nga zyrtarë të lartë të qeverisë Rama.

Nuk kam qënë e përfshirë asnjëherë në interesa financiare me personat në fjalë, as si shtetase shqiptare, as si pjesë e Partisë Demokratike dhe asnjë aludim i këtij lloji. Propaganda dhe lojrat e qeverisë, nuk mund të fshijnë aferat e tyre me lajme si kjo e ditës së sotme, apo foto rastësore, për të cilën duke qënë pjesë e medias prej vitesh, nuk arrij ta kuptoj, se si një media pranon të përdoret si mashë e qeverisë, për të zbehur aferat korruptive dhe për të relativizuar rrokullisjen e pashmangshme të pushtetit, me lajme të tilla. Këto manipulime, thjesht më konfirmojnë frikën e njerëzve të perfshirë në akuzat e ditëve të fundit dhe e bën misionin tim politik akoma më të vendosur.'- shkruan ajo.

Në një kohë kur Sali Berisha i cilëson si skandale takimet e kryeministrit Edi Rama me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së Charles McGonigal, sekretari për Marrëdhëniet më Jashtë në PD, Enri Çeno, u shfaq në një foto shumë miqësore me të. Në foto së bashku me ish- shefin e kundërzbulimit në FBI Charles McGonigal, zyrtari i Partisë Demokratike, pjesë e Foltores Enri Çeno ishte edhe Fjoralba Dizdari, anëtare e këshillit kombëtar të Partisë Demokratike.

Takimet e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së me kryeministrin Edi Rama, janë përdorur si ‘arsenal’ sulmesh nga opozita, të cilët e kanë akuzuar në bllok atë se ka lobuar përmes zyrtarit të FBI-së kundër saj. Por fotot që qarkullojnë tregojnë se McGonigal kishte lidhje edhe me Partinë Demokratike që aq ashpër akuzon qeverinë.

Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal  po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?