Humbja 1-0 kundër Real Madridit ka bërë që Juventusi të dalë jashtë Kupës së Botës për Klube që në fazën e 1/8-ave. "Zonja e Vjetër" ka shumë probleme për të rikuperuar dhe trajneri Igor Tudor thekson se më e rëndësishmja është rikuperimi fizik. Pas humbjes minimale me Realin, kroati i Juves tha se sfida kundër "Galaktikëve" dhe Man. Cityt ishte si një shkollë futbolli për ta.
"Duhet t'i përgëzoj djemtë, ata e vunë në veprim planin që kishim përgatitur. Ata dhanë gjithçka në këto kushte dhe në fund 10 lojtarë donin të zëvendësoheshin. Dy ndeshjet e fundit (kundër Cityt dhe Realit) do të jenë një shkollë për të ardhmen", tha kroati.
Pyetja në lidhje me zëvendësimin e Kenan Yildiz ishte e pashmangshme , pasi ai dukej jo i bindur të linte fushën. "Kisha frikë se mos lëndohej, do të shtrihej dhe do të prekte pjesën e pasme të këmbës... Kisha frikë se mos mbeteshim me një lojtar më pak në kohën shtesë".
Dallimi krahasuar me humbjen kundër Cityt (5-2) është i qartë. "Ishte një ndeshje e përgatitur në një mënyrë tjetër, me një strategji tjetër dhe në një kontekst tjetër, ishte një ndeshje krejtësisht tjetër. Ajo kundër Cityt nuk kishte asnjë vlerë, kjo po dhe ne e përgatitëm ndryshe kundër një skuadre të fortë në çdo mënyrë. Ne humbëm disa mundësi, vuajtëm kur na u desh të vuanim, tani duhet të pushojmë mirë dhe të fillojmë nga e para".
Kupa e Botës për Klube u lë pas diçka të rëndësishme bardhezinjve.
"Sigurisht niveli i ekipeve me të cilat u përballëm, u përballëm me klube që janë më të mirat që ekzistojnë. Ishte një përvojë e shkëlqyer për lojtarët dhe një përfitim i madh. Tani djemtë duhet të pushojnë, pastaj të fillojmë përsëri të fortë", mbylli Tudor.
Lajmi kryesor:
GOLAT/ Real Madrid dhe Dortmund ndeshen në çerekfinale, Juventusi eliminohet nga Kupa e Botës për Klube (Çiftet)
S.Dh/ReportTv.al