Është zbardhur skema e mashtrimit me anë të së cilës disa persona jepnin ndihmën e tyre për kontrabandim drejt SHBA-ve kundrejt pagesave deri në 10 mijë euro për të siguruar një vizë amerikane.
Grupi i të arrestuarve reklamonte në rrjetin social ‘Instagram’ në faqen ‘viza_amerikane_insider’ aktivitetin e paligjshëm duke i siguruar ndjekësit se do u garantonin pajisjen me viza amerikane 10 vjeçare.
I arrestuari Renato Nasto, kreu i grupit kriminal, bindte aplikantët se do t'u siguronte marrjen e vizës amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në ambasadën amerikane kundrejt shumës 10 mijë euro.
Sipas hetimeve, ky i fundit, falsifikonte të dhënat e formularëve në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme me qëllim që aplikanti të kualifikohej.
Këtë gjë ky i fundit e ka bërë në bashkëpunim me shtetasit, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani, Xhemal Seseri dhe Eduart Gjini, të cilët kanë falsifikuar formularët elektronikë të aplikantëve për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Renato Nasto paraqitej kur aplikantët kishin intervistën në ambasadën Amerikane për marrjen e vizës dhe i udhëzonte sesi të silleshin gjatë intervistës.
Lajmi kryesor:
Tiranë, 10 mijë euro për vizë amerikane! Në pranga 5 persona, 1 në kërkim! Aplikantëve u falsifikoheshin të dhënat, skema reklamohej në ‘instagram’ (VIDEO)
B.V/ReportTv.al