Tirane - Faqja në instagram me emrin “Viza amerikane insider”, është përdorur nga Renato Nasto, 30 vjeç, me origjinë nga Korça, për të tërhequr qytetarë të interesuar për të marrë vizën amerikane.
Si karrem, ka përdorur edhe fotot e pasaportave të prindërve të tij të cilat i reklamonte si sukses të garantuar se nëse bashkëpunoje me të e kishe vizën 10-vjeçare në xhep. “Ju paguani vetëm pasi viza t’ju aprovohet”, shkruhet në faqen e instagramit përmes të cilës 30-vjeçari Nasto ka arritur të marrë kontakt nga të paktën 5 qytetarë, aplikantë për vizitë, sot të arrestuar bashkë me të me vendim të Gjykatës së Tiranës.
Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani dhe Xhemal Seseri kanë lejuar të riun korçar të manipulojë të dhënat e tyre, duke shtuar të dhëna të rreme kualifikimi dhe specializimesh nga sa i kishin në realitet aplikantët.
Pasi plotësonin formularin me të dhëna të rremë, ditën e intervistimit në ambasadë, Renato Nasto i cili u shfaqej si person me njohje të brendshme në ambasadë, i shoqëronte dhe jepte udhëzime se si duhej të përgjigjeshin duke u dhënë detaje manipulative. Në rast se viza merrej me sukses, në xhepin e Nastos shkonin 10 mijë euro.
Në javët e fundit ambasada nuhati skemën dhe nisi hetimi Njësia e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar në ambasadë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Policinë Kriminale. Pasi fillimisht u gjurmua faqja në Instagram, personat e dyshuar u vunë në përgjim dhe veprimtaria kriminale u dokumentua me prova.
Nuk dihet saktë sa është numri i shqiptarëve që mundën të marrin vizë amerikane në këtë mënyrë, por dyshohet që mes përfituesve të jetë edhe Eduart Gjini, i cili është shpallur në kërkim.
Pas përfundimit me sukses të operacionit “The Rogue Son”, reagoi ambasada e SHBA, e cila përveç falendërimit të bashkëpunimit me organet e sigurisë në vend, dha edhe një mesazh për qytetarët.
“Ambasada e SHBA u bën thirrje të gjithë aplikantëve për viza që të dorëzojnë aplikimet e tyre elektronike për vizë vetë dhe jo përmes “të ashtuquajturave” agjenci udhëtimi, konsulentëve të vizave ose kompanive të tjera që ofrojnë shërbime për viza. Aplikantët për viza duhet gjithashtu të tregojnë kujdes në lidhje me mashtrimet në platformat e mediave sociale që pretendojnë se garantojnë viza amerikane”- thuhet në reagimin e ambasadës.
Të arrestuarit janë në akuzë për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Foto: Renato Nasto
Report Tv ka mësuar detaje lidhur me operacionin e policisë ku u arrestuan 5 persona nën akuzë për falsifikim formularësh me qëllim sigurimin e vizës amerikane. Renato Nasto, me grupin e tij kriminal kishte krijuar një skemë të mirëfilltë për të zhvatur qytetarët të cilët donin të përfitonin viza amerikane. Për të pasur sukses, në aplikimet që agjencia e tij bënte, të dhënat që hidheshin në sistem nuk ishin reale. Që aplikimi të bëhej sa më bindës dhe i besueshëm, shtoheshin detaje si profesione më të kualifikuara dhe specializime të ndryshme.
Në këtë formë kanë mundur të marrin viza shumë persona në ambasadën amerikane, pasi vetë Nasto mësonte se si të silleshin në intervista. Paratë aplikantët i dorëzonin pasi merrnin vizat dhe Nasto paraqitej para këtyre klientëve si person që ka njohje të brendshme në ambasadë, duke dalë kështu garant për marrjen e vizës. Në rrjetet sociale, Renato Nasto reklamonte vizat amerikane të tijat, të familjarëve të lidhur dhe personave të tjerë bashkëpunëtorë të grupit. Agjenci të ngjashme si e Nastos ka shumë në Tiranë, por të rregulltat nuk i premtojnë njerëzve se kanë njohje në ambasadë dhe nuk marrin shuma marramendëse parash për aplikimet.
Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar lidhur me operacionin e policisë ditën e sotme ku u arrestuan 5 persona dhe një tjetër u shpall në kërkim nën akuzën e falsifikimit të të dhënave me qëllim marrjen e vizave 10 vjeçare amerikane.
Në reagim, ambasada u ka bërë thirrje të gjithë aplikantëve që aplikimet e tyre elektronike për vizë amerikane t’i dorëzojnë vetë dhe jo përmes personave të tjerë në mënyrë që të mos bien pre e mashtrimeve të agjensive në rrjetet sociale që i garantojnë se do t’u sigurojnë vizën.
Reagimi i plotë i ambasadës së SHBA:
Ambasada e SHBA falënderon Policinë e Shtetit Shqiptar dhe Prokurorinë e Tiranës për bashkëpunimin e tyre me Njësinë e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Departamentit të Shtetit të SHBA, i cili çoi në arrestimet e sotme. Vlerësojmë thellësisht partneritetin tonë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku, Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, Drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës Arenc Çela, prokurorin e çështjes Drini Pali dhe oficerët e përkushtuar të Policisë së Shtetit.
Njësia e Hetimit Kriminal Ndërkombëtar u krijua pranë Ambasadës së SHBA në Tiranë në vitin 2012 dhe është përgjegjëse për kryerjen e hetimeve penale në lidhje me lëshimin ose përdorimin e paligjshëm të pasaportave ose vizave; vjedhjet e identitetit dhe/ose mashtrimin me dokumente që prekin ose lidhen me programet, funksionet ose autoritetet e Departamentit të Shtetit të SHBA, si dhe krimet që lidhen me terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e qenieve njerëzore dhe lloje të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar. Ambasada e SHBA është e përkushtuar të hetojë dhe të punojë me partnerët tanë për të ndjekur penalisht ata që kryejnë mashtrime me viza.
Ambasada e SHBA u bën thirrje të gjithë aplikantëve për viza që të dorëzojnë aplikimet e tyre elektronike për vizë vetë dhe jo përmes “të ashtuquajturave” agjenci udhëtimi, konsulentëve të vizave ose kompanive të tjera që ofrojnë shërbime për viza. Aplikantët për viza duhet gjithashtu të tregojnë kujdes në lidhje me mashtrimet në platformat e mediave sociale që pretendojnë se garantojnë viza amerikane.
Është zbardhur skema e mashtrimit me anë të së cilës disa persona jepnin ndihmën e tyre për kontrabandim drejt SHBA-ve kundrejt pagesave deri në 10 mijë euro për të siguruar një vizë amerikane.
Grupi i të arrestuarve reklamonte në rrjetin social ‘Instagram’ në faqen ‘viza_amerikane_insider’ aktivitetin e paligjshëm duke i siguruar ndjekësit se do u garantonin pajisjen me viza amerikane 10 vjeçare.
I arrestuari Renato Nasto, kreu i grupit kriminal, bindte aplikantët se do t'u siguronte marrjen e vizës amerikane turistike 10-vjeçare me ndërhyrjen e tij në ambasadën amerikane kundrejt shumës 10 mijë euro.
Sipas hetimeve, ky i fundit, falsifikonte të dhënat e formularëve në aplikimin për vizë amerikane me të dhëna të rreme me qëllim që aplikanti të kualifikohej.
Këtë gjë ky i fundit e ka bërë në bashkëpunim me shtetasit, Klea Prifti, Klaudio Leçini, Klaus Kapedani, Xhemal Seseri dhe Eduart Gjini, të cilët kanë falsifikuar formularët elektronikë të aplikantëve për vizë amerikane duke e plotësuar me të dhëna jo reale.
Renato Nasto paraqitej kur aplikantët kishin intervistën në ambasadën Amerikane për marrjen e vizës dhe i udhëzonte sesi të silleshin gjatë intervistës.
Nje gje eshte e sigurte ,keta te 5-te nuk kane per t'a shkelur kurre Ameriken sepse kane emrin ne kompjuterin e Departamentit te DHS dhe te Sherbimit te emigrimit e vizave!
PërgjigjuKy fitonte më shumë me vizat sesa vetë ambasada që i lëshonte këto viza.
PërgjigjuQe nga surrati duket ca zhulsi qeka
PërgjigjuQytetar, mos bini preh e mashtruesave te tillë! Dhe Presidentin e SHBA-së te fusni " mik" nuk keni shance te paiseni me vizë, nëse nuk jeni të SINQERTË në deklarimet tuaja! Kriteri bazë : VËRTETËSIA E TË DHËNAVE!
Përgjigju