10 risitë e nismës anti-krim në bllokimin e pasurive e parave të pista, ja çfarë i pret njerëzit e bandave dhe trafiqeve (VIDEO)

1 Shkurt 2020, 14:34| Përditesimi: 1 Shkurt 2020, 17:59

  • Share

Paketa ligjore për konsolidimin e rendit dhe sigurisë në Shqipëri, e miratuar dje nga qeveria, parashikon goditjen e njerëzve të krimit të organizuar dhe terrorizimin, në tre drejtime: Bllokimin e pasurisë, izolimin fizik dhe heqjen e të drejtës për të marrë para publike në çfarëdolloj forme. Në shënjestër të aktit normativ janë të gjithë personat e dënuar apo që janë nën hetim për 44 vepra të rënda penale, ku përfshihen organizata kriminale, banda e armatosur, grupet kriminale, vrasjet, organizatat terroriste, rrëmbimet, pengmarrjet, trafiqet e armëve dhe të drogës, prostitucioni, vjedhjet etj. Goditja më e rëndësishme konsiderohet sekuestrimi i pasurive të paligjshme. Çdo pasuri mbi një vlerë të caktuar, e pajustifikuar me të ardhura të ligjshme, parashikohet të sekuestrohet dhe konfiskohet, përmes rregullave dhe procedurave të parashikuara në ligjin anti-mafia dhe Kodin e Procedurave Penale.

Po cilat janë risitë e aktit normativ sa i takon goditjes përmes pasurisë?

-Së pari, akti normativ ngre disa struktura të reja, siç është edhe Komiteti Kombëtar i Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar, për identifikimin e pasurive të krimit dhe të personave që fshihen pas tyre, duke ndihmuar kësisoj Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën Speciale, për të mundësuar konfiskimin e pasurive dhe kalimin në pronësi të shtetit.

-Së dyti, parashikohet detyrimi ligjor i të gjithë institucioneve publike për të bashkëpunuar me strukturat e policisë për dhënien e informacionit të kërkuar në kohë reale për pasuritë e botës së krimit.

-Së treti, për herë të parë, personat e dënuar apo nën hetim për 44 veprat penale, duhet të deklarojnë pasurinë pranë Operacionit Forca e Ligjit. Ata, familjarët e tyre dhe çdo person i dyshuar për lidhje me to, duhet të deklarojnë burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive, shkakun e posedimit, sqarimin e mënyrës së fitimit të pasurisë dhe çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.

-Së katërti, policia do përgatit dosjen pothuajse të kopsitur për oficerin e policisë gjyqësore dhe prokurorin, duke bërë përshkrimin e pasurisë së dyshuar si e paligjshme, identifikimin e pronarit të dyshuar, deklarimin e personit të dyshuar për pasurinë dhe çdo provë tjetër.

-Së pesti, nisma parashikon për herë të parë detyrimin e prokurorit për t’i kthyer përgjigje policisë për dosjen e pasurisë, brenda 15 ditëve. Prokurori ose i kërkon gjykatës vendosjen e masës së sekuestros, ose kërkon informacion shtesë nga policia ose konstaton mungesën e rrethanave për të vendosur masën e sekuestros.

-Së gjashti, për herë të parë gjykatës i vihet afat për t’u shprehur brenda 15 ditëve kur prokurori i kërkon sekuestrimin e një pasurie.

-Së shtati, për herë të parë caktohet një fat prej 15 ditësh për Gjykatën e Apelit për t’u shprehur, nëse ka ankimim të vendimit të shkallës së parë. Sipas legjislacionit në fuqi, Apelit i dihen muaj, madje edhe vite, për t’u shprehur.

-Së teti, për herë të parë parashikohet që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron vendosjen e masës së sekuestros edhe pa vendim gjykate, në raste emergjente. Në këtë rast parashikohen afate të ngushta veprimi nga prokurori dhe gjykata, për të vlerësuar nëse vendimi i sekuestros është apo jo i ligjshëm. Brenda 77 orëve policia ia referon çështjen prokurorit. Prokurori duhet të shprehet brenda 15 ditëve. Edhe gjykata duhet të shprehet brenda 15 ditëve.

-Së nënti, parashikohet që gjykata nuk shprehet brenda afatit 15-ditor masa e sekuestros së pasurisë mbetet në fuqi.

-Së dhjeti, parashikohet që në asnjë rrethanë subjektet e aktit normativ nuk mund të përdorin si argument apo provë se të ardhurat për krijimin apo fitimin e aseteve dhe pasurive, objekt hetimi, janë burim i evazionit fiskal.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • ekonomist: 01/02/2020 16:12

    ASNJEGJE NUK KA PER TE NDODHUR THJESHT FJALE KJO ESHTE E VERTETA E HIDHUR E KESAJ SHQIPERIE TE MJERE...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?