Një grusht studiuesish, nga familjarët, mbesa. Mitrush Kuteli u përkujtua në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit mbrëmjen e së martës. Në këtë vit jubilar, në datëlindjen e 115-të, kryefjalë është përkthimi i veprës së tij. Ana, mbesa e tij, vajza e Atalantës, që figurën e gjyshit e njohu përmes “Tregimeve të moçme shqiptare”, “Xinxifilluan”, e të tjera vepra që ai la pas, mban në duar rrëfenjën “Fshati im e pi rakinë”. Është një nga kopjet e para të prodhuara në vitin 1943, të cilën Dhimitër Pasko, ia pat dhuruar një zonje që punonte në një shtypshkronjë në Tiranë.
“Është një gjetje, që e kam bërë në bibliotekën e shtëpisë së babait tim. Dedikimi është për një zonjë që është tezja e babait tim dhe që në vitin 1943 dhe që ka ndihmuar të botojë “Fshati im e pi rakinë. Tregon që lidhjet familjare mes dy familjeve janë të hershme”, thotë Ana Pekmezi, mbesa e Dhimitër Paskos.
Bankier, përkthyes, shkrimtar. Studiuesit e rrëfejnë Kutelin si një nga personalitetet e letërsisë sonë, prej të cilit u ndikuan edhe shkrimtarët e mëdhenj të të dy kohëve.
“Të vonohesh për të lexuar Kutelin është e pafalshme, kjo edhe për përpjekjen e madhe që ai bëri për kulturën shqiptare, për përkthimin, botimin e Nolit, Lasgushit, Emineskut”, thotë studiuesi Behar Gjoka.
Burgosja e censura që iu bë veprës së tij, ndërkohë që ai rrekej të mbronte financat e brishta vendase nga ndikimi jugosllav, ka mbartur pasoja afatgjata. Por cili ishte qëndrimi që mbajtën kolegët e tij shkrimtarë në atë kohë e çfarë ka ndryshuar sot.
“Sa i përket fatit që i ndodhi ai, ata kanë marrë pjesë në heshtje, por kanë marrë pjesë dhe me mënyra të tjera. Por ai e ka lënë të hapur gjykimin e atyre që heshtën apo që vepruan, duke thënë se ‘toka e letërsisë është një tokë ku gëlojnë gjarpërinjtë’. Kanë heshtur atëherë por le ta thonë diçka tani. Pra cila ishte koha apo pengu që ata e lanë të hapur. Është koha që të thuhet, duke filluar nga Kadareja dhe nga kushdo tjetër”, thotë studiuesi.
Ndërsa debati për veprat e ndikuara nga propaganda është i ndezur, studiuesit konstatojnë se letërsia e Kutelit mbetet e pakontaminuar nga ajo ideologji.
Por, ndonëse më shumë se 3 dekada nga rënia e regjimit komunist e 55 vite larg nga vdekja e shkrimtarit, përkthimi i veprës së Kutelit mbetet ende i kufizuar.
“Kanë bërë ç ‘është e mundur që Kuteli të mos përkthehet, përkthimi do të ishte dritarja, ku edhe ne që e duam Kutelin, do pranonim se letërsia do kishte një radhitje tjetër”, shton Gjoka.