Fushata zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit është kthyer në qendër të zhvillimeve politike në Shqipëri, teksa palët kundërshtare kanë ‘ashpërsuar’ retorikën politike me akuzat e bëra kryesisht ndaj figurave kryesore të kampit të opozitës dhe mazhorancës.
Gjatë debatit në Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, ish kandidati i Rithemelimit për primaret në Tiranë, u shpreh se tashmë kryeqyteti ka kaluar në plan të dytë dhe se fushata elektorale është përqendruar më shumë në Durrës dhe Elbasan.
“Unë mendoj se Durrësi dhe Elbasani kanë kaluar në plan të parë ndërsa kryeqyteti është në plan të dytë tashmë”-tha Merkoçi.
Nga ana tjetër, ish deputeti i PD-së, Azgan Haklaj duke komentuar fushatën zgjedhore në Tiranë tha se kandidati i PD-së, Roland Bejko kishte përballë tij 5 kandidatë të tjerë të majtë.
“Kemi 5 kandidatë të majgftë përballë një kandidati të djathtë. Jam shpresëplotë se e gjithë qytetaria e Tiranës do mbështesë Roland Bejkon”-tha Haklaj.
Sipas ish ligjvënësit, procesi zgjedhor në Shqipëri është i cënuar që në momentin kur kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha se “de fakto” Berisha është kryetar i PD-së. Kjo deklaratë e Celibashit, sipas Haklajt, tregon marrëveshjen e Berishës dhe Metës për të marrë peng PD-në dhe shtoi se 14 maji është mundësia e demokratëve për të çliruar partinë nga ‘Berishizmi’.
“Procesi zgjedhor është i cënuar në Shqipëri. Vetë Celibashi ka deklaruar se kryetar i pD-së është Berisha. Për shqiptarët është e qartë, po kristalizohet çdo ditë që Berisha Meta nuk kanë hallin e Shqipërisë. Berisha po i çon demokratët në pritë tek Meta. Shqiptarët ta kenë të qartë se në 14 maj vendosin një gur themeli për çlirimin e PD-së nga mitet dhe Berishizmi”- shtoi Haklaj.
Ai tha se PD ka përballë Metën Berishën dhe Ramën të cilët i quajti “dinosaurë politikë” të cilët bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.