15 risitë e draftit për tenderat, institucionet mund të lidhin kontrata me organet në varësi, rregullat e reja për sigurimin e ofertës 

26 Dhjetor 2019, 12:02| Përditesimi: 26 Dhjetor 2019, 12:16

  • Share

Drafti i hartuar nga qeveria për prokurimin publik sjell 15 risi në raport me ligjin në fuqi. Nisma parashikon për herë të parë nënshkrimin e kontratave të rezervuara dhe kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik. Koncepti i kontratave të rezervuara parashikon të drejtën për t’u rezervuar kompanive të drejtën për të marrë pjesë në tender, me kusht që të kenë punësuar në staf 30 % të personave me aftësi të kufizuara ose personave në nevojë. Gjithashtu, institucionet u rezervojnë të drejtën e pjesëmarrjes në procedurat e prokurimit publik, organizatave të caktuara, për dhënien e kontratave publike për shërbime të veçanta, veçanërisht për shërbime shëndetësore, sociale dhe kulturore. Ndërsa koncepti i ri i kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik, parashikon të drejtën që një institucion shtetëror t’i japë tenderin për një shërbim një organi që është në varësi të tij, duke mos zbatuar dispozitat e ligjit. 

Ndërkaq, për të evituar abuzimet, autoritetet kontraktore do të zbatojnë kufijtë e lartë dhe të ulët monetar. Kufijtë monetar do të përcaktohen duke studiuar tregun, duke llogaritur tarifat, komisionet që duhet të paguhen, interesi dhe forma të tjera të pagesës së ofertuesve. Një tjetër risi ka të bëjë me ofertën ekonomikisht më e favorshme, ku institucioni publik do të ketë hapësira për të identifikuar ofertën më të favorshme në bazë të çmimit, kostos gjatë ciklit jetësor, cilësinë, aspektet mjedisore dhe/ose sociale. Nisma përfshin edhe dialogun konkurrues, ku institucioni publik fton në dialog kompanitë e përzgjedhura në fazë e parë, me qëllim identifikimin dhe përcaktimin e mjeteve që përshtaten më mirë me nevojat e tyre si dhe për të diskutuar aspektet e prokurimit. 

Nisma parashikon rregulla të reja edhe për numrin e kompanive konkurruese. Në procedurën e kufizuar, numri minimal i kandidatëve është pesë. Në procedurën konkurruese me negocim, në procedurën e dialogut konkurrues dhe në partneritetin për inovacion, numri minimal i kandidatëve është tre. Në rastin e kontratave sektorale, është e drejtë e entit kontraktor të përcaktojë numrin minimal të lejuar të kandidatëve. Por, në çdo rast, numri i kandidatëve që ftohen duhet të jetë i mjaftueshëm për të siguruar një konkurrencë të drejtë. Projektligji parashikon për herë të parë ankesa edhe për procedurat me negocim pa shpallje. Ankesa bëhet 30 ditë nga dita e publikimit të njoftimit të kontratës së nënshkruar. 

Duke marrë shkas nga problematikat e hasura në praktikë lidhur me tërheqjen nga nënshkrimi i kontratës apo problematika në ekzekutimin e saj, është parashikuar edhe sigurimi i ofertës i detyrueshëm për të gjitha procedurat, me përjashtim të procedurave të prokurimit me vlerë të vogël, si masë mbrojtëse, në rast tërheqje nga ofertimi. Nisma parashikon për hëë të parë të drejtën e Agjencisë së Prokurimit Publik që të që të përjashtojnë një operator ekonomik nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit për një periudhë nga 3 muaj deri në 3 vjet, nëse është tërhequr mbi pesë herë nga nënshkrimi i kontratës në procedura prokurimi të ndryshme, të zhvilluara nga një ose disa autoritete të ndryshme kontraktore, brenda një viti kalendarik.

Drafti shkurton afatet për ankimimet. Në procedurat e prokurimit mbi kufirin e lartë monetar, operatorët ekonomikë kanë të drejtë të ankohen brenda 10 ditëve nga publikimi i njoftimit të kontratës, ose publikimi i ndryshimit të kërkesave në dokumentet e tenderit. Në procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar, ky afat është 5 ditë. Ndërsa në rastin e konstatimit të një kontrate publike të lidhur pa zhvilluar ndonjë nga procedurat e prokurimit të parashikuara, afati për paraqitjen e një ankese lidhur me këtë kontratë është 60 ditë nga dita e konstatimit të saj, por jo më vonë se 6 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës. Autoriteti ose enti kontraktor duhet të shprehet në lidhje me ankesën brenda 5 ditëve. Kundër vendimit të autoritetit ose entit kontraktor, operatorët ekonomikë kanë të drejtën të ankohen pranë Komisionit të Prokurimit Publik, brenda 5 ditëve nga marrja e njoftimit nga autoriteti ose enti kontraktor. Brenda tre 3 ditëve, APP kërkon informacion nga institucioni që zhvillon tenderin. Komisioni i Prokurimit Publik merr vendim, jo më vonë se 25 ditë pas marrjes së informacionit apo dokumentacionit nga autoriteti ose enti kontraktor. Për procedurat e prokurimit nën kufirin e lartë monetar, ky afat është jo më vonë se 15 ditë. Gjithashtu, kompanitë mund të ankohen njëherësh edhe tek autoriteti kontraktues si dhe në APP. 

( Kliko këtu ) Drafti i plotë

15 risitë e draftit për prokurimin publik 

1.    Parashikimi për herë të parë i konceptit të kontratave të rezervuara dhe kontratave ndërmjet subjekteve brenda sektorit publik;

2.    Parashikimi i njoftimeve paraprake dhe periodike te informacionit, si mjete qe rrisin transparencën, dhe i japin mundësi operatorëve ekonomikë të njihen kohë më parë me të dhënat e një objekti konkret prokurimi të planifikuar;

3.    Draftligji përcakton kufij të ulët dhe të lartë monetar, ku për të gjitha procedurat mbi kufirin e lartë monetar ruhen parashikimet e direktivës, ndërkohë që parashikohen afate më të shkurtuara për procedurat nën këtë kufij, pra për procedurat kombëtare;

4.    Parashikimi i procedurave të prokurimit, sipas Direktivave përkatëse të BE, duke parashikuar procedura të reja prokurimi, me faza, siç janë: Procedura Konkurruese me Negocim, Dialogu Konkurrues dhe Partneriteti për Inovacion;

5.    Procedura më të thjeshtuara në prokurimin e veprimtarive të sektorit sektoral. Draft ligji trajton në tërësinë e tij, si prokurimin e sektorit klasik, ashtu edhe atij sektoral, me përcaktime në nenet që vlejnë për të dy sektorët, si dhe një kre të posaçëm, me rregullime specifike për sektorin sektorial (i cili, përfshin veprimtari që kanë të bëjnë me shërbimet e transportit, ujit, energjisë, gazit, shërbimet postare, portet dhe aeroportet);

6.    Lehtësimi i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik, nëpërmjet përdorimit të Formularit Përmbledhës të Vetdeklarimit, në vend të disa vërtetimeve të lëshuara nga autoritetet publike ose palë të treta;

7.    Parashikimi i përdorimit të kriterit për vlerësim “oferta ekonomikisht më e favorshme”,e cila identifikohet në bazë të çmimit dhe kostos, duke përdorur metodën e efektivitetit të kostos;

8.    Paraqitja e Sigurimit të Ofertës, si një masë mbrojtëse për autoritetet kontraktore, në rast të tërheqjes së ofertuesit;

9.    Në referim të parashikimeve në Direktivë, draftligji njeh për herë të parë, konceptin e reduktimit të numrit të operatorëve ekonomikë të kualifikuar, në procedurat me faza, nëse një gjë e tillë përcaktohet si mundësi nga autoriteti kontraktor që në dokumentet e tenderit;

10.    Ulja e afatit minimal të periudhës së përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike, duke filluar nga 3 muaj;

11.    Parashikimi i periudhës së pritjes, gjatë të cilës autoriteti kontraktor nuk mund të nënshkruajë kontratë, periudhë, e cila fillon nga shpallja e njoftimit të fituesit;

12.    Lehtësi në prokurimin e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera të veçanta, të cilat i nënshtrohen një regjimi të posaçëm, të thjeshtuar prokurimi;

13.    Rritja e rolit kontrollues të APP, në drejtim të verifikimit të zbatimit të ligjshmërisë në procedurat e prokurimit, përfshi ato të anuluara, dhe monitorimit të zbatimit te kontratave;

14.    Ankimi i operatorëve ekonomikë, njëkohësisht si në autoritetin kontraktor, edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, duke shkurtuar procesin e rishikimit administrativ i afateve te ankimit;

15.    Parashikimi për herë të parë i konceptit të modifikimit të kontratave, si dhe rasteve të pavlefshmërisë së kontratave.

G.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?