Në një artikull të Corriere della Sera janë përllogaritur kostot e luftës më të gjatë në historinë moderne të SHBA. Në shumicën e përllogaritjeve, “çmimi" i konfliktit është rreth 815.7 miliardë dollarë, një shifër e cila, megjithatë, mbulon vetëm shpenzimet operative.
Lufta që kurrsesi nuk mund të fitohej, siç e përcaktojnë shumë tani, i ka kushtuar Shteteve të Bashkuara, nga 7 tetori 2001 e deri më sot, plot 2.313 miliardë dollarë: një shifër që është e vështirë edhe të imagjinohet. Në fakt jo se Kongresi është shqetësuar aq shumë, por pesë herë çështja është ngritur nga anëtarët e Nënkomitetit të Mbrojtjes.
Shpenzimet nuk kanë të sosur dhe në shumicën e analizave, për shpenzime operative janë shpenzuar të paktën 815.7 miliardë dollarë, sepse ky është raporti më i fundit i vitit 2020 nga Departamenti i Mbrojtjes.
Kjo shifër mbulon shpenzimet operacionale, nga ushqimi për ushtarët tek karburanti për automjetet, nga armët në municion, nga tanket tek aeroplanët.
Por interesi i paguar për kreditë e mëdha që Uashingtoni ka marrë për të financuar operacionet, ndihmën për veteranët dhe kostot që do të vazhdojnë të rriten në vitet në vazhdim, miliarda ndihma humanitare dhe mbi të gjitha shpenzimet për "ndërtimin e kombit" nuk llogariten..
Nga trajnimi i trupave në ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe projekteve të tjera infrastrukturore, projekte që i kanë kushtuar vendit 143 miliardë dollarë që nga viti 2002, sipas Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit (Sigar).
Raporti shpjegon sesi kaq shumë nga këto para dhe projekte janë bërë tym dhe shumë shkolla dhe spitale kanë mbetur të zbrazëta, autostrada dhe diga kanë përfunduar të shkatërruara dhe e gjithë kjo për shkak të paaftësisë së qeverisë amerikane për të luftuar korrupsionin e aleatëve afganë, nga Hamid Karzai te presidenti i fundit Ashraf Ghani (i cili, çuditërisht, iku me një vjedhje gjigande sapo ra Kabuli).
Bilanci i viktimave
Më shumë se 47,000 civilë afganë kanë humbur jetën që nga viti 2001 (dhjetë u shtuan të Dielën, pas një sulmi amerikan "i synuar" ndaj një anëtari të ISIS-K).
Midis 66 dhe 69 mijë, janë të përllogaritur në kampin tjetër, policë apo ushtarë afganë dhe mbi 51 mijë talebanë dhe terroristë nga grupime të ndryshme.
Këto të dhëna janë mbledhur nga burime të ndryshme nga Pentagoni në Kombet e Bashkuara. Në vitin 2011, në kulmin e përpjekjeve ushtarake, gjatë të ashtuquajturës "valë presioni" të imponuar ndaj Obamës nga gjeneralët, kishte rreth 130,000 trupa aleatë në Afganistan, me vetëm 14,000 në shkurt, para se Joe Biden të dërgonte përforcime për evakuimet atje, rreth 2,400 trupa.
Në total rreth 800,000 amerikanë kanë marrë pjesë në këtë luftë, 2,442 burra dhe gra pjesë e departamentit të mbrojtjes dhe gjashtë civilë nga Departamenti i Mbrojtjes kanë humbur jetën, duke i shtuar në këtë listë edhe trembëdhjetë të rinj të vrarë në sulmin kamikaz të së enjtes në Kabul. Ndërkohë që të paktën njëzet e një mijë janë plagosur. Ndërkohë nga vendet aleate janë regjistruar 1,144 viktima, 457 britanikë (e dyta në viktima pas SHBA) dhe 53 italianë.
Më pas vjen edhe bilanci i atyre për të cilët flitet shumë pak, sepse Pentagoni nuk e ka raportuar shumë atë, ajo e kontraktorëve të vdekur amerikanë, e cila do të ishte rreth 3,800.
Të paktën 77 gazetarë kanë humbur jetën në 20 vitet e fundit dhe 444 punonjës humanitarë. Ndërkohë që edhe miliona të tjerë kanë emigruar, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, 2.7 milionë afganë kanë ikur nga vendi, 780,000 nëpërmjet Iranit, 1.4 milionë banorë nëpërmjet Pakistanit dhe Evropës. Sidoqoftë, shifra nuk përfshin emigrantët e parregullt. As njëqind mijë të evakuuar ditët e fundit dhe shumë të tjerë që po përpiqen të largohen nga vendi dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë në muajt në vazhdim. Dhe pastaj janë refugjatët e brendshëm, këtu po flasim për tre deri në katër milionë njerëz për një vend me rreth 38 milion qytetarë.
Gjërat që duhen shpëtuar
Sipas të dhënave të Bankës Botërore jetëgjatësia në Afganistan është rritur nga 56 deri në 64 dhe tetë vjet nuk janë pak. Vdekshmëria e lindjeve është përgjysmuar, analfabetizmi ka rënë ndjeshëm dhe indeksi i shkrim -leximit është rritur nga 8 në 43 përqind, martesat e fëmijëve janë ulur me 17 për qind. Të paktën në qytete, qasja në ujë të pijshëm ka arritur në 89 përqind krahasuar me 16% njëzet vite më parë. Gjithashtu sipas Bankës Botërore, vdekshmëria foshnjore është përgjysmuar, ashtu si edhe numri i fëmijëve nën peshë.
Tanimë gjysma e popullsisë ka qasje në kujdesin mjekësor, krahasuar me 25 përqind në fillim të viteve 2000.
Financial Times, e cila disa ditë më parë mblodhi të dhëna për këto përmirësime në një seri grafikësh, raporton se ka 8.2 milionë fëmijë më shumë në shkolla sesa në vitin 2001.
Problemi është se shumica e ekonomisë afgane, një nga më pak të zhvilluarat në botë, është e bazuar në ndihmën ndërkombëtare dhe me marrjen nën kontroll të talebanëve situata me shumë mundësi do të përkeqësohet.
Lajmi kryesor:
SHBA tërhiqet nga Afganistani, Biden: Janë evakuuar nga ajri 120 mijë persona nga Kabuli, operacioni më i madh në histori! Talebanët mbajnë fjalimin e 'fitores': Marrëdhënie diplomatike me Perëndimin
//ReportTv.al