SHBA- Sot bëhen 20 vite që nga sulmet e 11 shtatorit në Amerikë dhe do të mbahet një përkujtimore në nder të 2,977 viktimave që humbën jetën nga ngjarja më e madhe terroriste në historinë e SHBA-ve.
Në një periudhë 20 vjeçare shenjat e 11 shtatorit ndihen ende të freskëta për popullin amerikan por edhe për mbarë globin. Sipas traditës tashmë 20-vjeçare, një minutë heshtje do të mbahet në kohën e saktë kur xhihadistët e Al-Kaidës sulmuan me dy aeroplanë, kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Presidenti amerikan Joe Biden ka përkujtuar ngjarjen duke e lidhur me mesazhin e madh që ka marrë prej saj, unitetin.
"Ne nderojmë të gjithë ata që rrezikuan dhe dhanë jetën në minuta, orë, muaj dhe vite më pas. Pavarësisht se sa kohë ka kaluar, këto përkujtime kthejnë gjithçka me dhimbje sikur të keni marrë lajmin pak sekonda më parë”, shprehet Biden.
Ai pranoi "forcat më të errëta të natyrës njerëzore - frikën dhe zemërimin, pakënaqësinë dhe dhunën kundër muslimanëve amerikanë" të cilat pasuan sulmet, por tha se uniteti kishte mbetur ‘forca më e madhe’ e SHBA.
"Ne mësuam se uniteti është e vetmja gjë që nuk duhet të prishet kurrë," shtoi ai.
Kryeministri britanik Boris Johnson tha ndërkohë se sulmet kishin dështuar "të trondisnin besimin tonë në liri dhe demokraci". Mes të vdekurve në sulmet e 11 shtatorit ishin 67 britanikë.
Mesazhe në këtë ditë të shënuar që i zgjon të gjithëve kujtime të hidhura ka dhënë edhe politika shqiptare.
Sapo akrepat e orës shënuan 08:45, qyteti i New York ra në heshtje në nderim të viktimave të 11 shtatorit.
Kohë e cila shënonte momentin e parë të përplasjes së aeroplanit të American Airlines me Kullën Veriore, 20 vite më parë. Ndërkohë që minuta të tjera heshtje do të mbahen edhe në orën 9:03 a.m, 9:37 a.m. dhe 9:59 a.m
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Presidenti Biden dhe zonja e Parë Jill Biden, të cilët u shoqëruan në ceremoni edhe nga ish presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton. Të gjithë së bashku ishin në Manhatan Memoriali Kombëtar për 11 Shtatorin.
Anëtarët e familjeve të viktimave tani po lexojnë me zë të lartë emrat e të dashurve të tyre. Është një moment shumë i fuqishëm dhe disa e kanë të vështirë të mbajnë veten.Mike Low, i cili humbi vajzën e tij Sarën në 11 Shtator, prezantoi leximin.
Duke folur ngadalë, solemnisht, ai falënderoi ata që e ndihmuan atë dhe familjen e tij, të cilët "iu gjenden pranë në ditët më të errëta". Ai bëri thirrje sërish që historia e 11 Shtatorit të mbahet mend, "jo si numra apo datë, por fytyra të njerëzve të zakonshëm". Pas ceremonisë Biden do të drejtohet drejt Biden Queens para se të drejtohet për në Shanksville, Pennsylvania.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka dhënë mesazhin e saj për sulmet terroriste të 20 viteve më parë në 11 shtator.
Ajo shprehet se viktimat e pafajshme që humbën jetën në atë sulm dhe patrotët që kanë dhënë jetën duke mbrojtur SHBA, nuk do të harrohen asnjëherë.
" Ne gjithmonë do të kujtojmë miqtë dhe aleatët, si shqiptarët që qëndruan pranë nesh gjithmonë. Krah për Krah.", shkruan ajo në rrjetin e saj social Facebook.
Postimi i Yuri Kim në Twitter: Ne asnjëherë nuk do të harrojmë ata që humbën jetën më 11 shtator, 2001 dhe ata patriotë që dhanë jetën për të mbrojtur vendin tonë. Ne gjithmonë do të kujtojmë miqtë dhe aleatët, si shqiptarët që qëndruan pranë nesh.Krah për Krah.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka dhënë mesazhin e tij perkujtimor për 20-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit.
Veliaj e konsideron këtë ditë një ditë e cila ndryshoi jo vetëm Amerikën por edhe botën. Kjo ngjarje sipas kryebashkiakut të Tiranës shërben si kujtesë se shoqëritë e hapura, qytet pluraliste e vlerat demokratike janë ende nën atak nga padija dhe sulmet e pakicave të dhunshme.
"Le të mos harrojmë", shkruan ai në fund të mesazhit të tij.
Ambasada Amerikane në këtë ditë që të zgjon vetëm kujtime të hidhura, ka dhënë mesazhin e saj përkujtimor për 3 mijë jetë të humbura në sulmin terrorist më 1 shtator 20 vjet më parë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Ambasada shkruan se njerëzit që humbën jetët në Kullat Binjake, Pentagon dhe Shanksville - përfshirë dhënësit heronj të ndihmës së parë, që dhanë jetën për të ndihmuar të tjerët - lanë pas të dashurit dhe komunitetet, të cilat nuk ishin më kurrë njësoj.
Në fund të mesazhin përkujtimor Abasada theksoi se sot nderojmë jetën dhe kujtimin e tyre në këtë rast solemn dhe vajtojmë atë që të gjithë kemi humbur në atë ditë të tmerrshme.
Presidenti Ilir Meta ka dhënë mesazhin e tij përkujtimor për 20-vjetorin e sulmit terrorist në SHBA.
Ai shkruan se 11 shtatori është dita në të cilën nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan!
Meta shprehet se Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq.
“Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë.”, shkruan presidenti në rrjetin e tij social Facebook.
Në fund të mesazhin të tij ai ka shprehur mirënjohjen për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmi.
“I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit!”, shkruan ai.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka dhënë mesazhin e saj përkujtimor për sulmet e 11 shtatorit.
Ajo shprehet se kjo ngjarje është nga ato që vështirë të shlyhen ndonjëherë nga kujtesa. Xhaçka shkruan se kjo është një ditë për të përkujtuar e nderuar kujtimin e mijëra jetëve të pafajshme të humbura atë ditë,
Ministrja në fund të mesazhit të saj thotë se duhet të jemi më të bashkuar se kurrë në emër të këtyre viktimave kundër terrorizmit e ekstremizmit.
Kryeministri Edi Rama, ka dhënë një mesazh përkujtimor në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
11 shtatori, sipas kryeministrit ka hyrë në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, në zemër të saj.
Rama shprehet se kjo ditë do të mbetet në kujtesë dhe vetëdijen e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë.
Mesazhi i parë i Lindita Nikollës në krye të Kuvendit, është ai përkujtimor për familjarët e viktimave të 11 shtatorit. Në mesazhin e saj, kryeparlamentarja shprehet se kjo ditë shënon një akt lufte kundër qytetërimit perëndimor, e më shumë se kurrë të gjithë duhet të bëhemi bashkë ‘në emër të paqes e lirisë’.
“Si sot, 20 vjet më parë, bota mbajti frymën. Terroristët ndërmorën një akt lufte ndaj Shteteve të Bashkuara. Nën rrënojat e kullave binjake ishin trupat e njerëzve nga mbi gjashtëdhjetë kombe. Një simbolikë e dhimbshme, por e fortë, për bashkimin e gjithë botës kundër një armiku që sulmonte edhe përmes grave e fëmijëve. Miliarda zemra u plagosën, anembanë globit.
11 shtatori na bëri të gjithë të ndjehemi amerikanë. Të gjithë e mbajmë mend mirë ku ndodheshim dhe çfarë bënim në 11 shtator 2001. Ngjarje si kjo ndryshojnë historinë. Por sulmi ndaj simbolit madhështor të lirisë, qendrës së qytetërimit perëndimor, referencës më të rëndësishme të demokracisë dhe investueses më të madhe për paqen, nuk e ndryshoi dot historinë. Amerika nuk u nda, u bashkua. Bota nuk u tremb, u solidarizua. Bijtë e Amerikës dhe të kombeve paqedashës shkuan në luftë, jo për hakmarrje, por për paqe, që nënat anembanë botës të mos humbasin bijtë e tyre prej terroristëve.
Terrorizmin nuk e lidh asgjë me myslimanët dhe Islamin, këtë besim të paqes e dashurisë. Terroristët dhe eskstremistët e dhunshëm godasin njëlloj, myslimanët, të krishterët e këdo. Terrorizmi është një “pandemi”, kundër të cilës duhet të luftojmë të gjithë.
Ne, shqiptarët, jemi sot krenarë që u rreshtuam në krahun e duhur të historisë, në krahun e SHBA-së, mikut tonë më të madh, me bindjen se lufta kundër terrorrizmit, bazave e mbështetësve të tyre, është lufta për jetën. “Nëse shpëton një jetë, ke shpëtuar një botë”, shkruhet në librat e shenjtë. Shqipëria u bashkua në betejën e madhe anti-terror në Irak e Afganistan, përkrah koalicionit të madh ndërkombëtar, për t’i larguar botës frikën dhe për t’i kthyer qetësinë, sigurinë dhe paqen.
Shqipëria qëndron sot me krenari në krah të Shteteve të Bashkuara, duke u ofruar strehë e mbrojtje afganëve të kërcënuar me jetë nga rregjimi taleban. Unë shpresoj se gjithë bota do të bashkohet në këtë aksion të madh njerëzor.
Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, aleati ynë i çmuar dhe i pazëvëndësueshëm. Stërvitja e suksesshme “Defender 21”, marrëveshja për koordinimin e teknologjisë G5, nënshkruar midis Kryeministrit Rama dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, si dhe mbështetja për qytetarët afganë janë momente kuptimplotë të forcimit të këtij partneriteti.
11 shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet. Ai na bën bashkë edhe më shumë në emër të paqes dhe të lirisë”, shprehet Nikolla.
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë një mesazh përkujtimor për familjarët e viktimave nga sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA
Kjo ditë që ka mbetur në memorien e të gjithë globit, kryedemokrati shprehet se duhet të shërbejë për të intensifikuar luftën kundër terrorizmit.
“Dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës. I bashkohemi përkujtimit të viktimave të terrorizmit, dhe solidaritetit me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan. Ne qëndrojmë në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e vecantë mes dy kombeve tona”, tha Basha.