Rreth 200 mijë euro në llogaritë bankare të një shqiptari janë sekuestruar me vendim të Prokurorisë së Tiranës me dyshimin për pastrim parash.
Vlera e konsiderueshme është hedhur në llogarinë e shqiptarit nga jashtë vendit nga persona të ndryshëm, përmes 17 transfertave në total gjatë periudhës janar 2021-prill 2024.
Njëri nga personat, sipas hetuesve është i huaj, dhe në momentin e transferës është deklaruar në bankë si shok i djalit të shqiptarit që do përfitonte paratë në llogarinë e tij në Tiranë.
Ky person, emrin e të cilit prokuroria nuk e bën publik dhe as vendin se nga i transferoi paratë, në vitin 2022 është hetuar në Angli për përdorimin e personave të tretë përmes kërcënimit me dyshimet për pastrim parash.
Për të mos rrezikuar që paratë në llogarinë e shqiptarit të tranfesrohen apo të fshihen, prokuroria i sekuestroi 200 mijë eurot në to, të cilat sipas hetimeve, janë pjesë e një skeme të pastrimit të parave nën presionin dhe kërcënimin e personit në Angli.