Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjete sociale, komentoi edhe drejtësinë. Kryeministri përmendi 21 Janarin, teksa tha se Sali Berisha që sot flet për drejtësinë, dikur lejonte nga zyra e kryeministrisë që të vriteshin njerëz. Rama sulmoi edhe Lulzim Bashën, duke thënë se këndonte “himnin” ditë për ditë nga çadra sepse nuk donte të votonte reformën në drejtësi.
“Asnjëherë s’ka pasur Shqipëria dhe shqiptari barazi para ligjit. Nga 1912 deri para pak vitesh s’është bërë përpjekje që barazia para ligjit të kalojë në nivelin që të gjithë ta dinë, se s’ka rëndësi si quhesh, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke pushtet apo jo. Nëse të troket te dera drejtësia je i barabartë me të tjerët. Ka ndodhur në kohën e bufit ku vriteshin njerëz nga dritaret e kësaj zyre këtu poshtë dhe prokuroria që tentonte për të marrë në pyetje drejtuesit e forcave të rendit, pagëzohej nga kjo godinë lavire bulevardi që të merrte njeri në pyetje. Kjo që them është realitet i para një dekade dhe ky i ka bërë këto, po thotë hajde të bëjmë Shqipërinë madhështore. Po Luli i 7x7 ishte kështu poshtë, ma këndonte himnin mbyllur në çadër se nuk donte të votonte vettingun dhe reformën në drejtësi. Sot flasin e tregojnë me gisht, numërojnë njerëzit që thirrën në drejtësi dhe kujtojnë se më impresionojnë mua dhe terrorisin shumicën e shqiptarëve që është shumë e qartë, që nuk do të kishte këtu të tilla gjëra nëse nuk do të isha në këtë zyrë dhe PS në qeveri. ", tha Rama.
Më tej, Rama vlerësoi kreun e SPAK duke e cilësuar si një burrë të zotin, por shtoi se deri para se të bëhej reforma në drejtësi me vullnetin e PS, nuk mund të bënte arrestime të zyrtarëve të lartë, pasi shpata e drejtësisë ishte nën pushtetin politik.
"Altin Dumani është burrë i zoti dhe i ndershëm, prej shumë vitesh në sistem. Aty ishte Dumani prokuror? Kishte thirrur ndonjëherë njeri në pushtet? Kishte parë njeri me pushtet të kalonte në Prokurori me të gjitha kamerat si në festivalin e Kanës? Nga erdhi Dumani? Nga hëna, jo! Prokuror me vite të tëra por nuk kishte shpatën sepse ishte këtu te kjo zyra këtu. Ishte si pajisje këtu në zyrë që e përcillnin njëri pas tjetrit të gjithë nga qeveria e parë, të e dyta, e treta, më pas te mbreti, te diktatori dhe më pas te presidenti, bufi dmth kur ishte president që mori e futi në burg kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PS, përmes një drejtësie kukull dhe shpatën që kishte këtu. Bufi thotë se do të shkrijë SPAK me 12 Maj, në fakt do të jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës për atë që do të ndodhë kur të fillojë e të dalë Noc Rroku, për bufin e për të gjithë qua qua qua-të.", tha Rama.
Lajmi kryesor:
500 euro vota për Berishën, Rama: Mos e bëni këtë gabim, krim që ndëshkohet! Oqeanin e kaloj sa herë të dua, për vizitë te Trump kur të më ftojë SHBA (VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al
