Politikë

500 euro vota për Berishën, Rama: Mos e bëni këtë gabim, krim që ndëshkohet! Oqeanin e kaloj sa herë të dua, për vizitë te Trump kur të më ftojë SHBA (VIDEO)

15 Prill, 08:22| Përditesimi: 15 Prill, 15:34

  • Share

TIRANË- Ndërsa partitë politike tashmë janë në fushatë elektorale, kryesocialsiti Edi Rama mesazhin e kishte të qartë për blerjen e votës, një ditë pasi një 38-vjeçar u arrestua në Lushnjë pasi kishte premtuar 500 euro në këmbim të votës për PD-në e Sali Berishës. Në bashkëbisedimin me ndjekësit në rrjetet sociale, Rama u shpreh që askush mos të bëjë gabim që të blejë votën, duke theksuar se është një krim që dënohet rëndë.

“Pashë që kishin dalë ca që jepnin lekë, nga këto paratë e kënetës. Se këneta ka shumë para. E keni parë sa e ka paguar latifin, ku i gjejnë xhanëm. E keni parë latifin. Kam parë se ka dalë këneta me para, se kishin kap një zhapik andej nga Lushnja që jepte para për votën, askush mos ta bëjë këtë gabim, se është krim që ndëshkohet rëndë, nuk ja vlen fare”, tha Rama.

Në rubrikën “Sy m’sy”, kryeministri Rama nuk iu shpëtoi as pyetjeve nëse e kalon dot oqeanin, por përgjigja për komentuesit ishte kjo: “Mos ma qaj hallin fare, oqeanin e kaloj sa herë të dua.”

Por një tjetër komentues priste lajmin ‘bombë’ se kur do jetë vizita e Ramës në SHBA dhe takimi me presidentin Donald Trump.

“Ca problemi ke ti, ca halli ke ti. Vizita në USA, kur të ftojë USA, nëse bëhet fjalë për të takuar presidentin apo të tjerët. Kur të më ftojë USA do bëhet vizita, nuk jam duke u shqetësuar, nuk shoh asnjë urgjencë, asnjë problem, asnjë hall. Ti ku e ke hallin, pse qenka një lajm bombë një vizitë në USA, ca janë këto bomba”, iu përgjigj kryeministri Rama.

Një ditë pasi Shqipëria hapi negociatat në Luksemburg për grupkapitullin “Tregu i Brendshëm”, Rama tha se BE na sheh si vend anëtar potencial, duke theksuar se nuk bën rolin e bamirësi.

“Pavarësisht nevojës që ka BE për të zgjeruar radhët e veta për arsye gjeopolitike, BE nuk të fal absolutisht asgjë për asnjë arsye. Mund të jetë e padrejtë kur ti mund ta meritosh të hedhësh hapin tjetër dhe të thotë jo për arsye të brendshme, na e ka bërë ne, por nuk është kurrë në situatën e një bamirësi dhe me të drejtë kërkon se kë afron ta ketë me standardet e veta dhe nuk ka asgjë më të padiskutueshme lidhur me gjithë procesin e shtetbërjes në Shqipëri sesa rezultatet e monitorimit të vazhdueshëm. Të tjera janë muhabete pazari otoman të politikës shqiptare”, theksoi Rama.

Një koment nuk mungoi për reformën në drejtësi, ku tha se ishte PS që ia dorëzoi shpatën duke iu kujtuar kundërshtarëve edhe vrasjet e 21 janarit në Bulevard.

Ora 09:42
‘Në Kosovë kemi ndërruar 5 kryeministra, jeni bërë vend diktatorial...’, Rama-komentuesit: Gjermania të duket diktaturë ty?

 

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj edhe një komentuesi nga Kosova, i cili i shkruante se atje janë ndërruar 5 kryeministra gjatë 12 viteve të fundit, dhe se Shqipëria është kthyer në një vend diktatorial.

“Ne në Kosovë i kemi ndërruar mbi 5 kryemininstra këto 12 vite të fundit, ju jeni bërë vend diktatorial me dakada të tëra një kryeministër’, i shkroi komentuesi.

‘E para, nuk janë dekada por 10 vjet. E dyta, të duket diktaturë Gjermania ty? Gjermania ka pas 2 kancelarë në katër mandate. Holanda për shembull diktaturë të duket që kryeministrin e vetë e kishte 4 mandate. Sot është sekretar i NATO-s. Po vendet e Evropës veriore, Suedia e Finlanda diktaturë të duken ty? Zgjedh populli i dashur Bardhyl, të tjerat janë dokrahina thotë At Gjergj Fishta”, tha Rama.

Ora 09:35
Rama: Nuk kam në burg asnjë anëtar të qeverisë prej shumë kohe! Dita e përballjes me drejtësinë s’erdhi nga qielli, e sollëm ne

 

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjete sociale, iu përgjigj edhe një pyetjeje lidhur me zyrtarët e arrestuar të PS. Kreu i qeverisë tha se prej shumë kohësh asnjë anëtar i qeverisë nuk është në burg, ndërsa shtoi se edhe kur kjo ka ndodhur, këta persona s’kanë qenë anëtarë të qeverisë.

Më pas, Rama përmendi edhe problemet e Berishës me drejtësinë dhe të Ilir Metës, i ndodhur tashmë në burg, teksa tha se dita ku figura të larta politike po përballen me drejtësinë nuk erdhi nga qielli, por e solli PS.

“E para nuk rri tërë ditën se po të shikosh edhe postimet këtu, e arrin kollaj konkluzionin se tërë ditën merren me shumëçka tjetër. Por ama nëse prekesh se në ato pak minuta që merrem me bufin e Lulin tërhiqet vëmendja dhe nuk e di dmth, çfarë ideje të krijohet më vjen shumë keq. E dyta, kjo e gjysmës së qeverisë në burg është qesharake. Nuk kam në burg asnjë anëtar të qeverisë prej shumë kohe dhe në fakt po të shikosh të gjithë ata që janë marrë në hetim apo janë çuar në gjykim nuk kanë qenë anëtarë qeveria kur ka ndodhur. Kam 12 vjet këtu, nuk duhet të harroni se nëse juve ju erdhi dita të flisni për drejtësi, për ministra, për kryetar bashkish, për persona të lidhur me pushtetin politik por edhe për ish president dhe ish kryeministra, kjo nuk është ditë që erdhi nga qielli, por që e solli PS me mua në krye. Kjo është shprehja e vullnetit tonë absolut për të sjellë në Shqipëri atë që shqiptarët s’e kanë pasur kurrë barazinë para ligjit”, u shpreh Rama.

Ora 09:27
Rama: Më 12 maj bufi do jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës, te kutitë e votimit do i dalë noc rroku

 

Kryesocialisti Edi Rama ironizoi Sali Berishën gjatë komunikimit me ndjekësit në rrjetet sociale, duke thënë se më 12 maj do jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës, pasi kur të hapë kutitë e votimit do i dalë noc rroku.

“Më 12 maj bufi do jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës për atë që do të ndodhë kur të fillojnë të hapen kutitë e të dalë noc rroku aty për bufin dhe të gjithë kua-kuatë”, tha Rama.

Ora 09:26
‘S’e ke më Kimeten dhe kokëkashtën Vlahutin, do luash basketboll te 313’, Rama-komentuesit: Ti demokrat i Fierit, bëhu gati të numëroni mirë votat atje

 

 

Gjatë bashkëbisedimit në ‘Sy m’sy’, një ndjekës iu drejtua duke thënë se duhet të bëhet gati të ‘luajë’ basketboll me shokët e tij te 313-ta ndërsa i përmendi edhe ish ambasadoren amerikane Yuri Kim dhe ish ambasadoren e BE Romana Vlahutin.

“Rri se nuk ke më as Kimeten e Soros dhe as kokëkashtën Vlahutin, bëhu gati të luash basketboll me shkuadrën e tij te 313’, ishte komenti që kishte bërë një ndjekës.

Kryeministri iu drejtua duke thënë se me siguri është një demokrat nga Fieri që bashkë me të tjerë i shkojnë pas Berishës, ndërsa shtoi se ajo që duhet të bëjë është se duhet t’i numërojë mirë votat më 11 Maj.

“Ti vllai im demokrat i Fierit bashkë me të tjerët që i shkoni prapa bufit të kënetës bëhuni gati të numëroni pak votën në Fier. T’i numëroni mirë, një nga një me terezi.”

Ora 09:21
‘Kur është lënë vizita në SHBA’, Rama ‘debat’ me komentuesin: Ça halli ke ti, pse qenka lajm bombë! Kur të më ftojnë, do shkoj

 

Një ndjekës e ka pyetur kryeministrin Rama se kur do të zhvillojë vizitën në SHBA, ndërsa dikush tjetër më herët e pyeti nëse e kalon dot oqeanin. Rama tha se nuk ka asnjë shqetësim apo urgjencë, duke theksuar se vizita në SHBA për të takuar presidentin apo të tjerët.

Komentuesi: Na e thuaj lajmin bombë kur është lënë vizita në USA, apo e keni lënë pas zgjedhjeve.

Rama: Ca problemi ke ti, ca halli ke ti. Vizita në USA, kur të ftojë USA, nëse bëhet fjalë për të takuar presidentin apo të tjerët. Kur të më ftojë USA do bëhet vizita, nuk jam duke u shqetësuar, nuk shoh asnjë urgjencë, asnjë problem, asnjë hall. Ti ku e ke hallin, pse qenka një lajm bombë një vizitë në USA, ca janë këto bomba. Nuk e morët vesh akoma si funksionon kjo botë, si funksionojnë shtetet. Nuk e keni kuptuar akoma që jemi një vend mjaftueshmërisht i vogël për të kujdesur për veten, për të bërë sa më shumë punë, për të pasur sa më shumë rrugë të hapura. Lajmi bombë se kur do jetë vizita ime.

Ora 09:19
‘Boll iu lutët Evropës se s’di ku është vetë’, Rama-komentuesit: Shprehje kafeneje, ne s’kemi asnjë rrugë tjetër përveç BE-së

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj një komentuesi që i tha se nuk duhet t'i lutet më Evropës, pasi ajo nuk e di as vetë ku është. Kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk ka rrugë tjetër, veçse asaj në BE. 

“E para nuk besoj se e kem tepruar me asnjë premtim, ne ndajmë me njerëzit që prej fushatës së kaluar, objektivat e programit tonë qeverisës dhe besoj se i jemi përgjigjur objektivave shpesh në kohë, ndonjëherë me vonesë sipas rasteve dhe rrethanave që krijohen. Por çdo gjë që kemi thënë e kemi bërë dhe po e bëjmë. Kjo nuk diskutohet. 

Ndërsa sa i përket ‘Boll e lutët një Evropë që s’di ku është vetë’, është shprehje kafeneje se nuk kemi ne asnjë rrugë tjetër, destinacion tjetër dhe shpëtim tjetër nga historia jonë përveç BE. Kjo është këmbëngulje, jo lutje. “, u shpreh Rama. 

Ora 09:13
‘Altin Dumani s’erdhi nga hëna’, Rama: Në kohën e bufit vriteshin njerëz nga dritaret, Luli më këndonte himnin nga çadra se s’donte reformën në drejtësi

Kryeministri Edi Rama, gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit në rrjete sociale, komentoi edhe drejtësinë. Kryeministri përmendi 21 Janarin, teksa tha se Sali Berisha që sot flet për drejtësinë, dikur lejonte nga zyra e kryeministrisë që të vriteshin njerëz. Rama sulmoi edhe Lulzim Bashën, duke thënë se këndonte “himnin” ditë për ditë nga çadra sepse nuk donte të votonte reformën në drejtësi.

“Asnjëherë s’ka pasur Shqipëria dhe shqiptari barazi para ligjit. Nga 1912 deri para pak vitesh s’është bërë përpjekje që barazia para ligjit të kalojë në nivelin që të gjithë ta dinë, se s’ka rëndësi si quhesh, nëse je i pasur apo i varfër, nëse ke pushtet apo jo. Nëse të troket te dera drejtësia je i barabartë me të tjerët. Ka ndodhur në kohën e bufit ku vriteshin njerëz nga dritaret e kësaj zyre këtu poshtë dhe prokuroria që tentonte për të marrë në pyetje drejtuesit e forcave të rendit, pagëzohej nga kjo godinë lavire bulevardi që të merrte njeri në pyetje. Kjo që them është realitet i para një dekade dhe ky i ka bërë këto, po thotë hajde të bëjmë Shqipërinë madhështore. Po Luli i 7x7 ishte kështu poshtë, ma këndonte himnin mbyllur në çadër se  nuk donte të votonte vettingun dhe reformën në drejtësi. Sot flasin e tregojnë me gisht, numërojnë njerëzit që thirrën në drejtësi dhe kujtojnë se më impresionojnë mua dhe terrorisin shumicën e shqiptarëve që është shumë e qartë, që nuk do të kishte këtu të tilla gjëra nëse nuk do të isha në këtë zyrë dhe PS në qeveri. ", tha Rama. 


Më tej, Rama vlerësoi kreun e SPAK duke e cilësuar si një burrë të zotin, por shtoi se deri para se të bëhej reforma në drejtësi me vullnetin e PS, nuk mund të bënte arrestime të zyrtarëve të lartë, pasi shpata e drejtësisë ishte nën pushtetin politik. 

"Altin Dumani është burrë i zoti dhe i ndershëm, prej shumë vitesh në sistem. Aty ishte Dumani prokuror? Kishte thirrur ndonjëherë njeri në pushtet? Kishte parë njeri me pushtet të kalonte në Prokurori me të gjitha kamerat si në festivalin e Kanës? Nga erdhi Dumani? Nga hëna, jo! Prokuror me vite të tëra por nuk kishte shpatën sepse ishte këtu te kjo zyra këtu. Ishte si pajisje këtu në zyrë që e përcillnin njëri pas tjetrit të gjithë nga qeveria e parë, të e dyta, e treta, më pas te mbreti, te diktatori dhe më pas te presidenti, bufi dmth kur ishte president që mori e futi në burg kundërshtarin e tij politik, kryetarin e PS, përmes një drejtësie kukull dhe shpatën që kishte këtu. Bufi thotë se  do të shkrijë SPAK me 12 Maj, në fakt do të jetë duke u shkrirë në lotët e kënetës për atë që do të ndodhë kur të fillojë e të dalë Noc Rroku, për bufin e për të gjithë qua qua qua-të.", tha Rama. 

Ora 08:59
‘Non Grata e Berishës një turp kombëtar’, Rama: Kjo historia që do hiqej në janar, shkurt, mars... ta shohim

 

Një turp kombëtar e ka quajtur kryeministri Rama non gratën e Sali Berishës nga SHBA, ndërsa me ironi komentoi edhe deklaratat e tij se do i hiqej në janar, shkurt, mars apo prill.

“Non gratën e kam konsideruar turp të madh kombëtar, për të gjithë Shqipërinë dhe për mua. Sikur të mos kishte ndodhur do kishte qenë 100 herë më mirë, për të gjithë bashkë. Por kjo historia që do hiqej në janar, shkurt, mars e prill, ta shohim. Mos më qani hallin mua”, tha Rama.

Ora 08:57
Rama ironizon opozitën: Këtë herë do hanë shumë gola, pastaj do thonë na ‘çanë rrjetën’

Kryeministri Edi Rama tha se opozita, me zgjedhjet e 11 Majit, do të hajë më shumë gola se asnjëherë më parë.

“Në fushë mund të jesh 5 por në fletën e votimit ke përballë numrin 1 dhe ai nuk luan për barazim”. Po po tani, portieri për barazim luan se 1 është numri i portierit ti Domeniko. Portieri për barazim luan se portieri nuk luan për fitore se portieri nuk bën gola thjesht rri aty për të mso ngrënë gola kurse ky portieri këtë radhë do hajë aq shumë gola o miku im sa do rrijë duke nxjerrë topin nga rrjeta nja 1 javë rresht dhe do vërë kujën “Ma çanë rrjetën”, tha ai. 

Rama iu përgjigj edhe një komentuesi lidhur me largimin e shqiptarëve, duke thënë se ky fenomen nuk ka nisur me qeverinë e tij. Kryeministri tha se njerëzit janë të lirë të veprojnë si të duan pas "nuk jetojmë më në bunkerin e Enver Hoxhës", por shtoi se tashmë kanë filluar të kthehen. 

“Kjo është propagandë sepse boll fakti në mënyrën më të pacipë, bufi e latifi dhe të tjerët i thonë pa pikë turpi njerëzve ikën 1 mln shqiptarë, ndërkohë që nga censuri i bërë, numërimi shpi më shpi, janë 2.4 mln sot që janë aktualisht këtu. Nëse kanë ikur 1 mln, nja 1.2 mln kishin ikur deri në kohën kur morëm detyrën, i bie të jemi 4.6 mln. Kështu që bëjeni mirë llogaritë. E dyta kanë ikur shqiptarët patjetër por në asnjë mënyrë nuk kanë ikur më shumë sesa çkanë ikur historikisht dhe gradualisht vit pas viti. E treta, nuk jetojmë më në bunkerin e Enver Hoxhës. Jemi të lirë të ikim e të vijmë. Shqiptarët kanë filluar të kthehen më shumë seç ktheheshin më përpara dhe do të vijnë më shumë kur të kenë të njëjtët standarte dhe paga si një mesatare po themi se nuk po diskutojmë këtu Gjermaninë dhe Francën që kanë pagat më të larta në Evropë por edhe taksat. Po diskutojmë nivelin e vendeve si Greqia dhe Kroacia, që jemi duke u  afruar hap pas hapi. Po të bëheshin me magji se do të kishte dalë ndonjë magjistar. Të gjithë e kanë pasur njësoj këtë histori. “, u shpreh Rama.

Ora 08:56
500 euro në këmbim të votës për PD-në e Berishës, Rama: Këneta ka para, e keni parë sa e paguan 'latifin'! Mos e bëni këtë gabim, krim që ndëshkohet rëndë

 

Në bashkëbisedimin me komentuesit në rrjetet sociale, kryesocialisti Edi Rama komentoi edhe rastin e zbuluar në Lushnje, ku një 38-vjeçar u arrestua pasi premtonte 500 euro në këmbim të votës për PD-në e Sali Berishës. Ndjekësi i kërkoi Ramës live para për votën, ndërsa kryesocialisti u ndal tek rasti i Lushnjës, duke thënë se këneta ka dalë të japë para, ndërsa bëri thirrje që askush mos ta bëjë këtë krim se ndëshkohet rëndë.

“Jo vlla nuk kemi lekë për vota se kemi bërë më parë, nuk e bëjmë sot. Pashë që kishin dalë ca që jepnin lekë, nga këto paratë e kënetës. Se këneta ka shumë para. E keni parë sa e ka paguar latifin, ku i gjejnë xhanëm. E keni parë latifin. Kam parë se ka dalë këneta me para, se kishin kap një zhapik andej nga Lushnja që jepte para për votën, askush mos ta bëjë këtë gabim, se është krim që ndëshkohet rëndë, nuk ja vlen fare”, tha Rama.

Ora 08:49
Rama me ndjekësit: Mos ma qani hallin mua, e kaloj oqeanin sa herë të dua

 

Kryesocialisiti Edi Rama në bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale u shpreh se e kalon oqeanin sa herë të dojë, si për të zhvilluar takime me të gjithë në Amerikë, apo edhe për të parë ndeshje basketbolli.

“Mos ma qaj hallin fare, oqeanin e kaloj sa herë të dua. Edhe për tu takuar me të gjithë atje që janë në anën e shtetit amerikan, edhe për të shkuar për të parë ndeshje basketbolli. Pa merak, rri i qetë. Pyet të tjerët", tha Rama. 

Ora 08:46
Rama: Historia e kënetës ka marrë fund, më shumë nxorri Big Brother kandidatë në listë sesa Primaret

Kryeministri Edi Rama tha se asnjë sondazh nuk e nxjerr opozitën fituese në zgjedhjet e 11 Majit. Duke iu përgjigjur një komentuesi, kreu i qeverisë deklaroi se historia e kënetës ka marrë fund. Ai nuk kurseu as ironinë teksa tha se më shumë nxorri Big Brother kandidatë në listën e Primareve sesa këneta. 

"Sa të mund të flitet për ndonjë rikthim imagjinar të kënetës në krye të vendit. Ka ikur historia e kënetës, ka marrë fund, është e mbyllur, është historia e trishtueshme e atyre që vazhdojnë i besojnë kënetës, e atyre që njësoj si ata të shkretët njerëzit e kënetës që u futën me kokë në primare, e që si përfundim më shumë nxori Big Brother kandidatë në listën e primareve se ç’nxorrën primaret. E kuptoni ju tani? Më shumë erdhën nga Big Brother se nga primaret për të përfaqësuar kënetën", u shpreh Rama.

Ora 08:43
Akuzat e Berishës për negociatat dhe darkën zyrtare/ Rama ironizon: Bufi i kënetës me Dulen shkuan në PE, ua hapi derën Beleri

Kryeministri Edi Rama komentoi edhe akuzat e Sali Berishës se BE ka bllokuar negociatat dhe për darkën e anuluar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në tetor 2022. Me ironi kreu i qeverisë tha se bufi i kënetës bashkë me Dulen ka shkuar në PE, dhe nga atje ua ka hapur derën eurdeputeti Fredi Beleri.

“Një popull i tërë simetrik me atë që kemi angazhuar ne këtej në administratë për t’u bërë negociatat. 1 mijë vetë që merren me të gjitha detajet si mund të gabojnë dhe të jenë të pagabueshëm ca qua qua qua që i ke përnatë në sallonet e berberhaneve televizive që rruajnë e qethin kë t’u dalë përpara. Jemi absolutisht në rrugën e duhur, kemi patjetër plot gjëra për të bërë akoma. Për këtë arsye po punojmë instensivisht, të meta plot sa të duash, por jo atë të meta që na i këndon këneta e qua qua qua. 

Më pas jemi spostuar në Luksemburg ku zhvillohej dita e BE, sepse sipas traktatit janë tre herë në vit që BE spostohet në Luksemburg dhe ku kemi çelur një tjetër grupkapitujsh që siç e dëgjuat dhe ua thanë dhe ua rrokanisën kokën në kuadrin e bombardimit me gënjeshtrat e tyre nuk do të hapen më sepse ishte mbyllur dera për Shqipërinë sepse mua s’më kishin dhënë as darkë se isha sjellë keq dhe sepse po prisnin tani bufin e kënetës. O zot, çfarë bëhet kështu. Po prisnin bufin e kënetës bashkë me qirje Dulen, se shkoi bashkë me të në PE që ua hapi derën qirje Beleri dhe u përmbys bota. Të tërë u ngritën në këmbë. O perëndi!", tha Rama. 

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • E DREJTA: 15/04/2025 09:19

    FORCA EDI RAMA STRATEGU I SHQIPERISE MODERNE...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?